Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se vendi i tij nuk do të varet vetëm nga Perëndimi kur është fjala për vaksinat kundër llojit të ri të COVID-19, por po ashtu do të negociojë me vendet e Lindjes.
Sipas Anadolu Agency, Orban deklaroi se Hungaria ka ndërmarrë veprime në lidhje me shpërndarjen e vaksinave dhe se ata kanë biseduar me Izraelin, Kinën dhe Rusinë.
“Nëse thjesht presim vaksinën nga Perëndimi, do të duhet të mbajmë kufizime me muaj. Pra, nëse një vaksinë e besueshme dhe e suksesshme gjendet diku tjetër, atëherë ky proces mund të përshpejtohet”, tha Orban.
Duke theksuar se Britania e Madhe veproi e pavarur nga BE dhe me sukses furnizoi vaksinën, Orban tha se vendi i tij ka porositur vaksinën mjaftueshëm për 8,5 milionë njerëz.
Sipas tij, deri më tani kanë ardhur vaksina mjaftueshëm për 80 mijë njerëz, dhe 42.549 punonjës shëndetësorë janë vaksinuar.
Ai përmendi se nga kjo fundjavë, do të vaksinohet edhe ata që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve.
Orban tha se kanë vendosur të vazhdojnë orën policore që është në fuqi nga nëntori i vitit 2020, dhe mbylljen e objekteve zbavitëse deri më 1 shkurt.
Orban deklaroi se vendi i tij është më i suksesshëm në luftën kundër COVID-19 se vendet si Belgjika, Italia, Spanja, Britania e Madhe, Holanda, Suedia dhe Franca.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 2.907 raste të reja. Në vendin ku deri tani janë regjistruar 337.743 raste, numri i personave që kanë vdekur si pasojë e infeksionit është rritur për 115 në 10.440.
Top Channel