Skema e taksës progresive mbi pagën jo vetëm që nuk ka rezultuar efektive në mbledhjen e të ardhurave, por madje ka rritur më tepër informalitetin.
I këtij mendimi është eksperti për ekonominë, Mateo Spaho, sipas të cilit shumë prej tatimpaguesve po nëndeklarojnë pagat për të shmangur pagesën e taksës 23% për ata me të ardhura që kalojnë 150 mijë lekë.
Aplikimi i një taksë e sheshtë shton ai do të thjeshtonte sistemin fiskal dhe do të rigjallëronte ekonominë.
“Ka shumë probleme sepse tatohet një pjesë shumë e vogël me këtë tatim progresiv që janë pjesa më e përgatitur dhe më vitale e shoqërisë. Kjo nuk është pjesa më e pasur e popullsisë. Ajo që është pjesa më e pasur është biznesmenët, ato që kanë prona tatohen me 15% që është një taksë e sheshtë, dividenti me vetëm 8%. Puna që është pjesa që krijon Prodhimin e Brendshëm Bruto tatohet më shumë se të tjerat deri në 23%.Pra është një skemë negative që nuk incetivon njerëzit të punojnë, por në të kundërt ato që punojnë më shumë kanë një prirje që të punojnë më pak sepse mbi-tatohen.”
Kryefinancierja Anila Denaj tha se dikasteri i Financave po zhvillon një analizë mbi taksën progresive pa dhënë më tepër detaje, por shtoi se paketa fiskale duhet të jenë më të qëndrueshme e afatgjata për të shmangur ndryshimet e shpeshta fiskale.
“Paketat fiskale janë gjithnjë në diskutim dhe këtu nuk bën përjashtim as analiza që ne jemi duke bërë, nuk kemi një datë finale. Nuk e lidhim këtë as me muajin prill as me muajin korrik, jemi duke parë paketa fiskale më të qëndrueshme në vite. Kur të materializohet do komunikohet. Ne kemi folur më parë se nevoja për të parë këtë taksë shikohet me disa grupe të pagave, jo të gjitha pasi pjesa më e madhe që marrin të ardhura deri në 30 mijë lekë tatohen 0%. Do marrë kohën e duhur analiza dhe do komunikohet.” Anila Denaj, ministre e Financave
Shqipëria ka një shkallë progresiviteti për tatimin mbi të ardhurave më të lartë në raport me rajonin. Sistemi i ndërlikuar për taksimin e pagave ka bërë që vendi të këtë shkallën e informalitetit më të lartë në rajon. Jo rrallë herë Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë apel në raportet e tij për thjeshtim të sistemit tatimor e veçanërisht pragjeve të tatimit të pagave në vend.
Top Channel