Xhorxhia, zyrtarët zgjedhorë përgënjeshtrojnë postimin e presidentit

06/01/2021 03:40

Zyrtarët zgjedhorë në Xhorxhia që po ndjekin balotazhin për dy vendet e këtij shteti në Senat, iu kundërpërgjigjën një postimi të Presidentit Trump në Twitter ku ai ngrinte shqetësime për probleme me makinat e votimit. Zyrtarët reaguan duke thënë se megjithë problemet e hershme në një komunë, zgjedhjet po ecin në rregull.

Të martën pasdite Presidenti Trump shkruante në Twitter se “kemi marrë njoftime nga distrikti i 12-të elektoral se makinat e kompanisë Dominion nuk po punojnë mirë prej një ore në disa zona që votojnë për republikanët. Fletëvotimet janë lënë në kuti, shpresojmë se do të numërohen”. Komenti u përhap 45,000 herë nga përdorues të Twitterit.

Zyra e Sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger u përgjigj me një deklaratë se megjithëse u raportuan disa probleme, ato nuk penguan votimet dhe problemet ishin zgjidhur para orës 10. “Votimet nuk u ndalën në asnjë moment. Zgjedhësit vazhduan të hedhin votat në përputhje me procedurat që përcakton ligji në Xhorxhia në rrethana të tilla,” thoshte njoftimi.

Gabriel Sterling, menaxher për sistemet e votimit në Xhorxhia, tha përmes Twitterit se një defekt në sistem ishte ndrequr shumë shpejt, duke shtuar “Më vjen keq, zoti President, por ke marrë informata të vonuara”. Në median sociale janë përhapur pretendime që lidhin kompaninë Dominion me akuza për manipulim në zgjedhjet e 3 nëntorit ku Presidenti Trump humbi përballë demokratit Joe Biden.

Agjencia e lajmeve Reuters dhe grupe të tjera mediatike kanë ofruar prova që hedhin poshtë këto pretendime, të cilat nuk janë shoqëruar me dëshmi të mirëfillta. Makinat e kompanisë Dominion u përdorën në 24 nga 50 shtetet amerikane në zgjedhjet e nëntorit, ndër to edhe në shtete ku Presidenti Trump fitoi. Një zëdhënëse e kompanisë Dominion tha të martën se kompania do të paraqiste pa vonesë padi kundër juristes Sidney Powell lidhur me pretendimet për probleme të makinave zgjedhore. Ajo shtoi se kompania po mban të gjitha opsionet të hapura për padi të tjera.

Pretendimet e presidentit se humbja e tij në nëntor ishte rezultat i manipulimit të zgjedhjeve është hedhur poshtë nga zyrtarë shtetërorë e federalë si dhe nga një numër gjykatash. Zyrtarët e administratës së Presidentit Trump e kanë cilësuar këtë cikël votimesh si “më të sigurtin në historinë amerikane”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA