“Ora policore 22:00-06:00” Situata nga pandemia/ Rakacolli: Anulimi i fluturimeve me Britaninë, deri në 18 janar! Universitetet mësim online…

06/01/2021 12:37

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka bërë me dije se situata epidemiologjike vijon të jetë e qëndrueshme, por ekspertët kanë bërë thirrje për më shumë kujdes, pasi transmetueshmëria e virusit është ende e lartë.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Albana Fico ka nënvizuar se situata epidemilogjike po vlerësohet në dinamikë, por nuk ka vend për vetëkënaqësi.

“Situata për këto dy javë mbetet e qëndrueshme, me zbritje të lehta, të cilat janë për t’u parë në vijimësi. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në fund të ditës ne jemi akoma në një situatë ku transmetueshmëria është e lartë dhe ku rastet spitalore vazhdojnë të jenë të rëndësishme si numër dhe mbi të gjitha jemi në pikën ku duhet të jemi tejet të kujdesshëm në zbatimin e masave”, tha Fico.

Bazuar në vlerësimin e situatës epidemiologjike, drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli bëri të ditur tre masat në vijim.
“Ne vlerësojmë se, në këtë situatë, të vazhdojnë të mbeten në fuqi masat e orës policore që fillon në orën 22:00; Universiteti të vazhdojë edhe për një periudhë të paktën dy javore të jetë online, pa prezencën e studentëve fizikisht nëpër auditore. Dhe po kështu fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri në datën 18 Janar”, tha Rakacolli.

Duke theksuar se që prej fillimi të pandemisë në vitin që lam pas janë pritur 700 mijë thirrje nga Urgjenca Kombëtare, Drejtori i këtij institucioni Skënder Brataj, ka deklaruar se forcimi i kapaciteteve në këtë vit të Ri me 36 autoambulanca të reja do të rrisë më tej standartin në shërbim të pacientëve në këtë situatë të pandemisë.

“Për fatin e mirë këtë vit e filluam me forcimin e kapaciteteve, 36 autoambulanca të reja e të pajisura, të cilat veç pajisjeve kanë 4400 litra oksigjeni në çdo ambulancë për të patur në dispozicion deri në dërgimin në spital. Vetëm në dy vitet e fundit e kemi fuqizuar flotën e autoambulancave në territor me 80 autoambulanca të reja moderne të pajisura me të gjithë mjetet jetëshpëtuese. Është kryer një punë voluminoze ku vetëm 700 mijë thirrje kanë ardhur nga fillimi pandemisë në vitin që lam pas. Numri i misioneve të kryera është rreth 150 mijë misione gjatë kryerjes së të cilave në banesë janë trajtuar rreth 55% e pacientëve, që shënon një arritje cilësore të shërbimit të ofrouar mjekësor nga ekipet e urgjencës mjekësore, duke i ofruar qytetarëve të gjithë ndihmën e duhur mjekësore në banesë dhe 45% e misioneve të kryera kanë përfunduar në spital”, theksoi Brataj.

Sa I takon situatës epidemiologjike në vend, incidenca e rasteve me COVID-19 në Shqipëri është 227 raste për 100,000 banorë, krahasuar me dy javët e mëparëshme 9-22 Dhjetor ku incidenca e rasteve me COVID-19 ishte 330 raste për 100,000 banorë. Vendin më të rëndësishëm të rasteve të konfirmuara e zë grupmosha 55-64 vjeç me 20% të rasteve të konfirmuara, e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18% të rasteve të konfirmuara dhe grupmosha 45-54 vjeç me 17% të rasteve. Vihet re që ka një rritje të infektimeve në grupmoshën 25-34 vjeç, ndaj ekspertët apeluan posaçërisht të rinjtë për shmangien e grumbullimeve, pasi kjo përkthehet në raste të reja infektimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA