Azerbajxhani ka protestuar ndaj një vizite të ministrit të Jashtëm të Armenisë në rajonin e Nagorno Karabakut, duke e quajtur atë një provokim dhe “një përpjekje për të nxitur tension”.
Ministri armen, Ara Aivazian, vizitoi rajonin më 5 janar, ku u takua me ministrin e Jashtëm de facto të qeverisë separatiste, David Babayan dhe nënshkroi një dokument për një program konsultimesh.
Leyla Abullajeva, një zëdhënëse e ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, tha në një deklaratë se vizita “ilegale” e Aivazian në Nagorno Karabak bie në “kundërshtim” me një marrëveshje armëpushimi të nënshkruar nga Azerbajxhani, Armenia dhe Rusia që i dha fund një lufte 44-ditore midis Bakus dhe Jerevanit mbi rajoni i shkëputur.
“Shkelja e detyrimeve nga Jerevani zyrtar është një provokim dhe veprime të tilla nuk kontribuojnë në normalizimin e situatës në rajon”, tha Abullajeva, duke shtuar se Jerevani duhet të pranojë ndryshimet që kanë ndodhur në rajon.
Armenia përkujton personat e vrarë në luftimet në Nagorno Karabak
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Moska, në muajin nëntor, i dha fund luftimeve të ashpra midis forcave azerbajxhanase dhe armene që filluan më 27 shtator të vitit të kaluar, duke shkaktuar vdekjen e mijëra personave nga të dyja palët.
Si pjesë e armëpushimit, Armenia humbi kontrollin e pjesëve të territorit të enklavës si dhe të shtatë rretheve përreth Azerbajxhanit që i mbante nën kontroll që nga vitet 1990.
Separatistët armenë ruajtën kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit të Nagorno Karabakut, dhe rreth 2,000 paqeruajtës rusë janë vendosur për të mbrojtur një lidhje tokësore që lidh Nagorno Karabakun me Armeninë.
Më herët, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka urdhëruar qeverinë të ndërtojë një aeroport ndërkombëtar në Fuzuli, një vend ngjitur me rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.
Aliyev tha se në rrethin që kufizohet me Iranin, duhet të ndërtohet një aeroport ndërkombëtar. Ai shtoi se ai dëshiron që aeroporti të ndërtohet deri në fund të vitit 2021.
Top Channel