Qeveria e Nigerit ka shpallur zi kombëtare treditore duke filluar të martën për të nderuar viktimat e sulmeve në dy fshatra pranë kufirit malian gjatë fundjavës.
“Zi kombëtare treditore është dekretuar nga e marta, 05 janar 2021”, tha zëdhënësi i qeverisë Abdourahamane Zakaria në një deklaratë.
“Flamujt do të jenë në gjysmë shtizë në të gjithë territorin”, shtoi ai.
Terroristët të shtunën sulmuan fshatrat Tchombangou dhe Zaroumdareye afër kufirit me Malin në Nigerin jugperëndimore, tha ministri i Brendshëm, Alkache Alhada.
Delegacioni zyrtar që vizitoi vendin e ngjarjes konfirmoi se 100 persona, 70 në Tchombangou dhe 30 në Zaroumadareye, humbën jetën nga sulmet. Qindra të mbijetuar u larguan nga vendi i ngjarjes në këmbë.
Burimet lokale theksuan se 25 të plagosur u evakuuan në Niamey dhe Ouallam për trajtim.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënoi ashpër sulmin e së shtunës nga persona të armatosur të paidentifikuar.
Sipas OKB-së, muajin e kaluar të paktën 28 njerëz u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën në një sulm, i pretenduar më vonë nga grupi terrorist Boko Haram, në rajonin juglindor Diffa të Nigerit.
Rajoni Tillaberi, ku ndodhen fshatrat e sulmuar së fundmi, ka qenë shpesh në shënjestër të grupeve terroriste me bazë në Mali që nga viti 2017, me një gjendje të jashtëzakonshme të shpallur në këtë zonë.
Top Channel