“Ja, këtu në këtë zonë kam pasur shtëpinë time”- Pashke Çoku.
Rikthimi në gjurmët e banesës së saj të shkaterruar nga termeti i 26 nëntorit është një ritual i përditshëm i Pashke Çokut.
“20 vjet që kam ndenjur këtu, për 20 sekonda ikën të gjitha, kam punuar 50 vite me gjithë burrë, për këtë shtepi”, shprehet ajo e përlotur.
Viti i ri, e gjeti 67-vjeçaren bashkë me bashkëshortin në një banesë me qira. Por, për shtëpinë e re duhet te presë edhe pak kohë, pasi gushti i vitit 2021 është afati i vendosur nga shteti turk për rindërtimin e 520 apartamenteve të reja në Laç, mes tyre edhe ajo e Pashkes.
“Para dy vitesh e kaluam vitin e ri në hotel, në Shëngjin, atje e bëmë vitin e ri, sivjet në shtëpi me qira, shumë mirë jam tani, por jo në shtëpinë time, mezi po pres të më vijë shtëpia ime. Zoti na e mori, do Zoti na e bën turku”.
Pak kilometra larg Laçit, në Fushë Mamurras na shfaqet një realitet krejt tjetër. Çlirimi dhe Vera Sela, bashkë me 4 fëmijët e pritën Vitin e Ri në çadër.
“Shumë e vështirë është, se kemi patur shpresën të hyjmë në shtëpi të re para vitit të ri, por nuk ishte kismet”, shprehet Çlirimi.
“Me shumë vështirësi, në çadër kohë e keqe, kështu e kemi kaluar edhe vitin tjetër”, thotë Vëra.
Familja Sela ka vendosur të mos e braktisë shtëpinë e shkatërruar nga termeti, pasi bonusi i qirasë i shërben atyre për të mbijetuar. Aksidenti pak kohë më parë i kryefamiljarit i ka vështirësuar jetesën.
Çlirimi: Është shumë e vështirë me një përkrahje sociale, kam katër fëmijë. 60 mijë lekë përkrahje sociale.
Vera: S’kam ku të gjej punë se e kam punën, t’i shërbej burrit të aksidentuar, më shumë sakrifica çfarë të bëjmë.
Çlirimi: Nuk jam nevojë për asgjë, kur kam shtëpinë i ke të gjitha, kam hallin e fëmijëve se s’kam ku të rri vetëm në çadër.
Vera: Duhet me thënë një herë shyqyr që i ka gjetur shëndoshë viti i ri t=ë gjithë dhe shpresoj për të shtëpia sa më shpejt që të futemi edhe ne.
Në Kurbin po zbatohen dy projekte rindërtimi, një me fonde turke dhe tjetri për banesa individuale nga fondi shqiptar i zhvillimit, të cilat nuk po ecin me ritme të njëjta, pasi investimi turk po përparon më shpejt.
Top Channel