Si asnjëherë tjetër, kjo natë e ndërrimit të viteve do të festohet rreth tryezës së ngushtë familjare.

Shumë prenotime për të festuar jashtë shtëpisë janë anuluar. Jo vetëm nga klientët, po dhe nga vetë restorantet.

”Prenotimet u bënë para 2-3 muajve dhe nuk ka asnjë restorant apo ambient publik që të organizojë festën e vitit të ri pasi është e ndaluar, po dhe njerëzit janë të ndërgjegjshëm që nuk duhet të grumbullohen”, shprehet Eduart Xhepa, kryetar i ATA Durrës.

Edhe shumë hotele përgjatë bregdetit të Adriatikut e kanë anuluar festën të diktuar nga rrethanat dhe kufizimet, po një pjesë kanë njoftuar në rrjetet sociale se do ta organizojnë festën në këtë natë të ndërrimit të viteve për klientët e akomoduar në to. Menutë e publikuara, po dhe çmimet duken shumë joshëse.

”Kemi kërkuar për hotelet me kapacitete të mëdha që kanë një numër minimal njerëzish të akomoduar në hotel me një leje të posaçme do të organizojnë një festë simbolike të vitit të ri, duke respektuar distancat mes tavolinave dhe pa shumë njerëz.”

Juli punon prej vitesh në një nga restorantet më të frekuentuara të Durrësit në periudhën e festave të fundvitit, por këtë natë do të jetë pranë familjes dhe fëmijëve të saj për herë të parë pas kaq vitesh punë.

”Më ndryshe se vitet e tjera për shkak të Covid-it. Vitet e tjera e kemi kaluar gjithnjë në punë. Gjë e mirë është po dhe puna është e rëndësishme, po shumë mirë se do jemi me familjen.”

”Për herë të parë edhe stafet, edhe ata që bëjnë muzikë live do e festojnë në shtëpi.”

Më shumë se çdo vit, kjo natë do të jetë një festë familjare, larg gjallërisë së zakonshme, po me shumë shpresa për një vit të ri të mbarë dhe të begatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA