Qeveria e Belgjikës ka klasifikuar dyqanet e birrës dhe çokollatës si “esenciale”, duke i lënë ato hapur mes valës së fundit të mbylljeve prej koronavirusit.
Megjithë shtrëngimin e masave prej valës së dytë të pandemisë, qeveria belge e konsideron alkoolin dhe ëmbëlsirat si “artikuj esencialë ushqimorë”.
Ignace Van Doorselaere, kreu i kompanisë së çokollatës Neuhaus, tha për mediat: “Çokollata është pjesë e kulturës së këtij vendi, kështu që është diçka esenciale pasi është pjesë e jetës së përditshme, ashtu si dhe birra, ose siç është dhe vera në Francë”.
“Dhe është gjithashtu një produkt gëzimi. Çokollata simbolizon gëzimin. Njoh shumë pak njerëz që nuk e pëlqejnë çokollatën”.
Ai shton se kompania e tij është me fat që bën pjesë në industrinë e ushqimit dhe beson se do t’i mbijetojë 2020, megjithë rënien e madhe tregtare.
Vendi ka më shumë se 2,000 kompani çokollate, të quajtura ‘chocolatiers’.
Dyqanet që shesin birrë gjithashtu u lejuan të qëndrojnë hapur gjatë mbylljeve.
Michael Eftekhari, pronar i Beer Mania – i pretenduar si dyqani i parë i birrës në botë – thotë se tregtia ka rënë me 90%.
Por dyqani i tij online e ka ndihmuar të mbijetojë duke shpërndarë birrë nëpër botë.
“Kjo na ka ndihmuar të mbajmë kokën mbi ujë”, thotë ai, duke shtuar se edhe birra është pjesë e kulturës së vendit.
Shifrat tregojnë se Belgjika ka shënuar deri tani 630,000 raste infektimi me koronavirus.
Në fillim të muajit Belgjika ishte në faqet e para të gazetave pasi një burrë i veshur si Santa Claus u akuzua për përhapje të rasteve të koronavirusit kur vizitoi një shtëpi të moshuarish në Antwerp.
Top Channel