Ligjet e reja në Pakistan/ Përdhunuesit përsëritës do të kastrohen me kimikate

28/12/2020 20:14

Pakistani ka miratuar masat të reja e të ashpra kundër sulmeve seksuale të cilat do të sigurojnë gjyqe të shpejta dhe kastrim kimik për ata që shpallen fajtorë në raste të përsëritura përdhunimi.

Ligji i ri Anti-Përdhunim u nënshkrua dje nga presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, i cili siguron që gjykatat speciale të luftojnë krimin duke trajtuar të gjitha rastet e përdhunimit, e duke i mbyllur ato brenda katër muajve, thuhej në deklaratën e zyrës së presidentit.

Njësi të veçanta do të krijohen për ekzaminimin e plotë ligjor e mjekësor të viktimave të përdhunimit brenda gjashtë orëve pas raportimit të incidentit, dhe një regjistër kombëtar me identitetin e përdhunuesve përsëritës do të krijohet në vend.

Një nga masat më ekstreme është kastrimi kimik i përdhunuesve përsëritës, çka do të kryhet me mjekime që ulin testosteronin dhe si rezultat, nxitjen seksuale të shkelësve.

Kabineti aprovoi masat pas një serie përdhunimesh të rënda që tërhoqën vëmendje dhe zemërim kombëtar, duke përfshirë dhe disa ku përfshiheshin të mitura.

Në shtator një nënë me dy fëmijë që mbeti pa karburant në autostradë, u përdhunua nga dy burra teksa priste që autoritetet të riparonin makinën e saj.

Në nëntor një nënë e bijë u morën peng në provincën jugore Sindh dhe u përdhunuan për disa ditë nga pengmarrësit.

Kriza e sulmeve ka zemëruar kryeministrin Imran Khan, i cili votoi për kastrimin kimik të shkelësve.

“Unë besoj se përdhunuesit duhet të varen publikisht. Përdhunuesit dhe abuzuesit e fëmijëve duhet të varen. Ne nuk i dimë statistikat e vërteta pasi krime të tilla nuk raportohen sepse njerëzit turpërohen dhe nuk duan të tregojnë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA