Kandidatja për në Gjykatën Kushtetuese, Zhaklina Peto ka paditur për herë të tretë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, duke kërkuar pavlefshmëri të vendimit që e nxori sërish nga gara.
E kthyer në konkurrim me vendim gjyqësor edhe dy herë të tjera, profesoresha Peto kësaj radhe i tregon gjykatës se si kësaj radhe, ndonëse nuk e ka dhënë dorëheqjen, KED e skualifikoi me këtë pretendim të paligjshëm sipas saj. Si argument profesoresha ka dorëzuar gjithë komunikimin me email minutë pas minute me këshillin, ku rezulton se në asnjë moment nuk e ka formalizuar dorëheqjen, ndërsa pas vendimit, KED, sipas Petos tejkaloi çdo ligj duke i ndaluar të drejtën për të dorëzuar ankim.
Presidenti, që në këtë rast do jetë organi i emërtesës për vendin e shtatë vakant, është ftuar nga Zhaklina Peto si palë e tretë e interesuar në këtë padi të dorëzuar në Gjykatën e Apelit administrative.
“E njoftova relatoren me raport mjekësor se jam infektuar me Covid, por ajo në shkelje të konventës evropiane më mohoi të drejtën për mbrojtje efektive”, argumenton kandidatja.
Sipas Petos, KED-ja i ka dërguar pyetje të paqarta, sugjestionuese dhe për çfarë realisht duhet të kthente përgjigje, sa kohë të gjitha institucionet e ngarkuara me ligj e kanë vlerësuar me kritere të plotësuara. Ndërsa thuhet më tej me procedurën që KED ndoqi për vlerësimin e saj janë kryer shkelje që për rrjedhim e bëjnë nul gjithë procesin e deritanishëm.
Zhaklina Peto, duke numëruar shkeljet e KED-së thotë se KED ushtroi presion psikologjik, sa kohë nuk mori parasysh raportin e saj mjekësor, duke i mohuar të drejtën për mbrojtje.
Peto akuzon në padi se i gjithë procesi i ndërmarrë nga KED është zhvilluar në shkelje të vazhdueshme, përfshirë edhe aktin flagrant të ndërprerjes së hetimit administrativ, pa pritur një përgjigje nga organet zyrtare, ku sërish deklarohen të dhëna në favor të kandidates.
Top Channel