Shumica e partive politike në Kosovë, të cilat pritet të garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, kanë filluar t’i largojnë vijat e kuqe për sa i përket mundësive të arritjes së marrëveshjeve për koalicione të mundshme ndërmjet tyre dhe ky është një zhvillim i mirë në skenën politike, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike Agon Maliqi dhe Jeta Krasniqi.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë i ka përfunduar konsultimet me partitë politike dhe së shpejti pritet të shpallë datën se kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ende është herët për të parë nëse do të ketë koalicione parazgjedhore, ndonëse pritet që të ketë. Por, sipas saj, çështjen e koalicioneve eventuale pas zgjedhjeve do ta definojë rezultati i zgjedhjeve dhe nevoja për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Çështja që mbetet për t’u parë është edhe çështja e zgjedhjes së presidentit që edhe me zgjedhjet (e jashtëzakonshme parlamentare) do të shihet nëse jemi duke bërë zgjidhje apo do të futemi në një krizë tjetër politike. Pavarësisht se kush nga partitë politike do të arrijë të fitojë një shumicë të konsoliduar dhe të bëjë koalicionin vetëm me një partner, është më se e domosdoshme që të ketë një bashkëpunim më të gjerë që shkon drejt dy të tretave të votave, në mënyrë që të zgjidhet presidenti. Nëse jo, prapë do të kemi zgjedhje”, thekson Krasniqi.
Analisi Agon Maliqi thotë për Radion Evropa e Lirë që largimi i vijave të kuqe nga partitë politike i rritë mundësitë dhe numrin e formulave të ndryshme për koalicione. Por, sipas tij, se a do të ridefinohet skena politike dhe parlamentare e Kosovës do të varet shumë nga fakti nëse Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte partia më e votuar, do t’i fitojë këto zgjedhje. Siç thotë ai, ekziston një lloj konsensusi i heshtur në skenën politike, që Lëvizjen e Vetëvendosje e sheh si fituese të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Siç thotë ai, ridefinimi i mundshëm i skenës politike do të varej nga thellësia e fitores eventuale të Lëvizjes Vetëvendosje karshi partive tradicionale në vend, siç janë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Dyshoj që është e mundshme një qeveri vetëm e Vetëvendosjes, ndonëse nuk e përjashtoj. Atëherë me PDK-në dhe LDK-në në opozitë, besoj që ndodh një ndryshim më përmbajtësor i skenës dhe mund të flasim për një ridefinim të këaj skene. Mirëpo, nëse LVV-së do t’i duhej njëra prej këtyre dy partive, PDK-ja ose LDK-ja – sepse mos të harrojmë që edhe presidenti duhet të zgjidhet menjëherë – atëherë mund ta quajmë, mbase jo ridefinim, por një lloj bashkëjetese në mes të pushtetit të ri dhe dikujt prej gardës së vjetër”, thekson Maliqi.
Partitë politike, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, tashmë kanë paralajmëruar qasjet e tyre për zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje nuk e përjashton një koalicion të mundshëm vetëm me një listë, që siç thuhet pritet ta krijojë ushtruesja aktuale e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani. Siç thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu, partitë tjera nuk do të merren në konsideratë për ndonjë koalicion të mundshëm me të.
“Nuk kemi, as kohë, e as vota për të humbur me partitë tjera të këtij klubi të stërvjetërurar politik”, thotë Kryeziu.
Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë në një takim me gazetarë se partia e tij mbetet të shqyrtojë se si do t’u qaset zgjedhjeve.
“Për momentin, në parti ende nuk e kemi diskutuar, por orientimet janë që të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, ka thënë Abrashi.
Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, u ka thënë mediave vendore që kjo parti është e hapur për ato parti që dëshirojnë të bisedojnë me të.
“Por, ne kemi anëtarësinë tonë, strukturat tona, kemi vizionin tonë, të cilin nuk e bëjmë kompromis të asnjë pazari politik të mundshëm”, ka deklaruar Ismaili.
Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një takim me gazetarë, nuk ka folur lidhur me atë se a do të synojë kjo parti ndonjë koalicion parazgjedhor.
“Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme shkojmë të përgatitur për të qeverisur dhe për të udhëhequr vendin”, ka thënë Isufi.
Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate ka deklaruar se qëndrimi i partisë së tij është që të garojë si e vetme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por ai nuk ka përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni të mundshëm me ndonjë parti tjetër.
“Pas caktimit të datës së zgjedhjeve, atëherë organet drejtuese të Nismës do të vendosin edhe për mundësinë e ndonjë koalicioni me ndonjë subjekt tjetër politik”, ka thënë Shala.
Mundësinë për koalicion me ndonjë parti tjetër e ka paralajmëruar Jetlir Zymberaj nga Aleanca Kosova e Re.
“Jemi në diskutime brendapartiake dhe opsioni më i mundshëm është krijimi i një koalicioni me një subjekt tjetër politik”, është shprehur ai.
Por, a pritet ridefinimi i politikave të brendshme dhe të jashtme të Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe krijimit të mundshëm të qeverisë së re të vendit?
Analistja Jeta Krasniqi thotë që viti 2021, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlemantare, do të jetë ndryshe nga viti 2020, jo vetëm për çështjen e pandemisë së koronavirusit dhe vështirësive që ka sjellë ajo, por edhe për obligimet që Kosova ka në arenën e jashtme, siç është dialogu me Serbinë.
“Kjo absolutisht varet nga ajo se kush do të jetë në qeveri. Por, veçanërisht kur flasim për politikën e jashtme, pritet të ketë vazhdim të dialogut, por edhe të shohim një konsolidim dhe një ripozicionim të Kosovës ndaj këtij procesi”, thekson Krasniqi.
Analisti Maliqi, megjithatë nuk pret që të ketë ndryshim të politikave të jashtme të Kosovës gjatë mandatit të ardhshëm të qeverisë. Gjithmonë duke shprehur bindjen se, sipas vlerësimeve të përgjithshme, fituese potenciale e zgjedhjeve mund të jetë Lëvizja Vetëvendosje, Maliqi thekson që kjo parti do të përpiqet të ruajë mbështetjen perëndimore për agjendën e brendshme.
“Ky ndryshim nuk do të mund të ndodhë në qoftë se (lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin) Kurti detyrohet të bashkëpunojë me dikë dhe të ketë nevojë për koalicione. Mirëpo, unë personalisht mendoj që me kalimin e kohës, Kurti mund të jetë lojtar më i paparashikueshëm dhe me thellimin e konsolidimit të pushtetit të tij, në rast se ndodh, atëherë nuk e përjashtoj mundësinë që ai të adaptojë një qasje më sovraniste”, thekson Maliqi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, më 21 dhjetor, që vota e Etem Arifit, me rastin e votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit, më 3 qershor, ishte e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.
Në bazë të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre./REL
Top Channel