Miliona vaksina kundër COVID-19 janë në spitale e qendra të tjera në SHBA në pritje të fushatës masive të vaksinimit, duke vënë në pikëpyetje planin e qeverisë për të vaksinuar 20 milionë vetë këtë muaj. Deri të mërkurën në mëngjes, ishin bërë vetëm 1 milionë vaksina të Pfizer-BionNTech-ut, ose një e treta e sasisë së shpërndarë. Më shumë se 9.5 milionë doza, përfshirë të kompanisë Moderna, nuk janë dërguar akoma në shtetet përkatëse, sipas Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, CDC.
Spitalet kanë filluar imunizimet me vaksinën e Moderna-s, por CDC ende nuk ka njoftuar të dhëna dhe ka vonesa në raportimin e ritmeve të vaksinimit për të dyja vaksinat. Ritmet e ngadalta të javës së parë kur u bënë vetëm 614 mijë vaksinime nuk shënuar përshpejtim të dukshën në javën e dytë megjithëse janë shpërndarë afro 2.9 milionë doza deri tani. Spitalet thanë se vaksinimi filloi të hënën e javës së kaluar me ritme të ngadalta, ndërkohë që përpiqeshin të kuptonin se si do të përdorej vaksina që kishte ardhur e ngrirë, po ashtu si do të ërgatitej personeli për vaksinim dhe si do të respektohej protokolli i distancimit fizik para dhe pas vaksinimit. Disa spitale thanë se kishin bërë vetëm 100 vaksinime ditën e parë.
Shumë spitale po përpiqen të përballojnë këto ditë shtimin e pacientëve me COVID. Administrata e Presidentit Trump premtoi të bënte 20 milionë vaksinime brenda këtij viti, ndërkohë që nuk ka ofruar fonde të mjaftueshme për ta realizuar këtë objektiv. Pra mbeten vetëm nëntë ditë për 19 milionë injeksione, ose mbi 2 milionë vaksinime në ditë, përfshirë edhe për Krishtlindje. Afro 5.9 milionë doza të vaksinës së Moderrnas dhe 2 milionë doza shtesë nga Pfizer do të shpërndahen këtë javë. Dy vaksina të tjera, të kompanive Johnson & Johnson dhe AstraZeneca pritet të miratohen në shkurt.
Synimi i qeverisë është që deri më 1 mars të jenë vaksinuar 100 milionë vetë me vaksinat e Pfizer dhe Moderna-s. Gjenerali Gustave Pena me Operacionin Shpejtësia Marramendëse, e cila kryeson përpjekjet për shpërndarjen e vaksinës, tha të hënën se të dhënat e CDC pasqyrojnë vonesa në raportimin e shifrave dhe se statistikat për numrin e vaksinimeve të bëra deri tani do të reflektojnë së shpejti realitetin. CDC-ja tha se të dhënat e saj pasqyrojnë gjithashtu vonesa në shifrat e shteteve individuale dhe numrin e vaksinimeve të raportuara. Vaksinimi në pjesën më të madhe të qendrave për të moshuarit filloi masivisht këtë javë dhe të dhënat e CDC-së nuk përfshijnë shifra specifike se sa doza nuk janë përdorur ende nga dërgesat e para për këtë kategori.
Personel i Pamjaftueshëm
Margaret Mary Health, një spital me 25 shtretër në një zonë rurale në Indiana, ka ndërtuar një klinikë portative në një stacion zjarrfikësish si dhe një tjetër klinikë në një qendër argëtimi për të vaksinuar personelin shëndetësor të komunave përreth, sipas shefit ekzekutiv Tim Putnam. Zoti Putnam, i cili ka drejtuar trafikun në klinikën portative, tha se kanë përdorur deri tani 400 nga 1,100 dozat që kanë marrë.
“Kemi kërkuar vullnetarë nga personeli ynë, nga kolegji i zonës që të vijnë të na ndihmojnë për ta vënë në lëvizje këtë proces,” tha ai. Disa spitale më të mëdha kanë arritur të vaksinojnë më shumë se 1,000 vetë në ditë, pasi kanë bërë përgatitje paraprake që para mbërritjes së vaksinës. Vermont, Delauer dhe Ajdaho ishin ndër shtetet që konfirmuan se gjatë javës së parë kishin bërë vetëm disa mijëra vaksinime, një përqindje e vogël e sasisë që kanë marrë. Jason Schwartz, pedagog në Departamentin e Shëndetit Publik në Universitetin Yale e cilësoi si “dekurajues” numrin fillestar të vaksinimeve duke thënë se “sfidat për shpërndarjen sa më parë të vaksinave që prodhojmë do të shtohen edhe më shumë në të ardhmen”.
Vaksina kandidate e kompanisë Johnson & Johnson që kërkon vetëm një injeksion mund të shpejtojë ritmet e imunizimit sepse kjo vaksinë mbahet në temperaturat e një frigoriferi të zakonshëm dhe nuk kërkon procedura speciale për shkrirje dhe protokoll përdorimi, tha Claire Hannan, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës së Menaxherëve për Imunizim. Vaksina e kompanisë AstraZeneca duhet bërë me dy doza, por mund të mbahet në frigorifer të zakonshëm. “Nuk ka si bëhet më e lehtë kur vaksinimi kërkon vetëm një dozë dhe vaksina mund të ruhet në frigorifer të zakonshëm,” tha zonja Hannan.
Shpejtohen ritmet e vaksinimit në spitale
Dr. Saul Weingart, zyrtari kryesor mjekësor në Qendrës Mjekësore Tufts në Boston tha se në këtë spital deri të premten ishin bërë 750 vaksinime nga 3,000 dozat e disponueshme. Në fillim bëheshin 100 vaksina në ditë, tani bëhen rreth 450 doza, thotë ai. Ai thotë se ekspertët në spital përllogaritën se vaksinimi me variantin e Pfizerit kërrkon 10 minuta, ose 2-3 herë më shumë se koha që kërkohet për të bërë vaksinën e gripit si rezultat i protokollit special pasi vaksina mbahet në temperatura tepër të ulëta. Pacientët duhet të mbajnë distancën fizike para dhe pas vaksinimit dhe të mbikqyren për reaksione alergjike.
Shtetet e Bashkuara vaksinojnë 170 milionë vetë kundër gripit çdo vit, i gjithë ky operacion realizohet brenda pak muajsh. Por në kushtet e pandemisë, SHBA duhet të bëjnë tre herë më shumë vaksinime me nga dy doza për çdo individ që bën vaksinën e Pfizerit apo Modernas, në mënyrë që të kenë imunizuar shumicën e amerikanëve deri në korrik. Me ritmet aktuale, duket që SHBA arrijnë të përdorin më pak se një të tretën e vaksinave të disponueshme në javë. Një zëdhënës i spitalit Metodist në Hjuston tha se deri të hënën kishte vaksinuar me dozën e parë rreth 8,300 punonjës dhe se mbeteshin rreth 7,000 doza nga dërgesa e parë.
Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë së Jugut ka vaksinuar mbi 3,000 punonjës dhe tha se do t’i duhen gjashtë javë për të vaksinuar të gjithë personelin, ritme të krahasueshme me vaksinimet kundër gripit. Departamentet shëndetësore të shteteve individuale kanë nevojë për mbështetje me fonde që të marrin në punë personel shtesë që të gjurmojnë reagimin e të vaksinuarve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve për sqarime, tha Adriane Casalotti, me Shoqatën e Zyrtarëve Shëndetësorë në Nivel Bashkiak. Paketa e ndihmave që pret miratim përfundimtar parashikon më shumë se 8 miliardë dollarë për shpërndarjen e vaksinave. “Nuk mund të marrësh dikë në punë në dhjetor dhe ta kualifikosh për protokollin e vaksinimit, nëse nuk je i sigurtë se do të kesh buxhet për ta paguar në janar,” thotë zonja Casalotti./VOA
Top Channel