Drejtori i Transportit Rrugor në Gjirokastër, Edi Pesha

Drejtori i Transportit Rrugor në Gjirokastër, Edi Pesha ka ndërruar jetë pasi ishte i prekur me COVID.

Prej disa ditësh ai ishte i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë dhe së fundmi gjendja e tij ishte përkeqësuar. Pesha ishte emëruar si drejtor i Transportit Rrugor, ose “Patentave” në Gjirokastër në dhjetor të vitit të shkuar.

Më parë ai kishte mbajtur postin e drejtorit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Gjirokastër. Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka kujtuar Peshën.

Këto janë disa fjalë që nuk do të kisha dashur kurrë t’i shkruaja, por ja që s’kemi dot fuqi mbi ligjet e jetës, as parashikojmë vdekjen e jo më t’i dalim kundër. Sapo mora vesh ndarjen e papritur nga jeta të Edi Peshës, mikut e bashkëpunëtorit tonë të hershëm në Gjirokastër. Një drejtues i shkëlqyer e aktivist i hershëm në radhët e Partisë Socialiste. Ai nuk ia doli dot ta fitonte betejën me virusin e mallkuar, që nuk kursen jetë njerëzish as sot në këtë ditë të shënuar Krishtlindjesh. Edi do të na mungojë të gjithëve, do t’i mungojë Gjirokastrës dhe shumë më shumë familjes së tij të mrekullueshme; bashkëshortes Fiqirete e fëmijëve Maria dhe Tomi, për të cilët do të jetë një mbrojtës e këshilltar i pazëvëndësueshem për të gjithë jetën. Bëjeni zemrën gur e i jepni kurajo vetes për të jetuar me kujtimin e tij të bukur. Zor të gjej më tepër fjalë për të treguar se kush ishte Edi Pesha e çfarë përfaqësonte ai, një njeri fjalëpakë e punëshumë, buzagaz si përherë dhe që kishte ditur t’i bënte vend vetes te kushdo që e njihte. Gjithçka tjetër që mund të them në një ditë si kjo, do të ishte e pamjaftueshme për ta nderuar e vlerësuar si duhet Edi Peshën. Çdo fjalë sado e qëmtuar që mund të jetë, zor se e lehtëson peshën e kësaj humbje kaq të madhe e të parakohshme. Kam frikë se bie edhe në kurthin e lëvdatave që thuhen zakonisht në kësi rastesh, e që me siguri kjo Edit s’do t’i kishte pëlqyer kurrë. Ndoshta dhe do të na qortonte nëse ai vetë do të kishte mundësi t’i lexonte këro radhë të shkruara nxitimthi teksa s’e besoj dot ende që sot e tutje ai s’do të jetë më mes nesh. Zoti zgjodhi që ta merrte me vete në një banesë tjetër, në një ditë të shënuar si kjo. Zakoni e do që të themi lamtumirë mik i dashur. Shpirti yt u prehtë në paqe!”, shkruan Çuçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA