Turqia ka ndërmarrë masa të reja për të frenuar përhapjen e Covid-19. Kështu duke filluar nga 28 dhjetori kushdo që udhëton me avion në Turqi do i duhet të ketë me vete një test PCR apo tampon negativ për COVID-19, të bërë brenda 72 orëve të fundit.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ambasada e Turqisë në Tiranë ku njoftojnë më tej se një tampon negativ duhet edhe për personat që udhëtojnë në rrugë tokësore, apo detare, por për këtë kategori udhëtarësh masat nisin nga 30 dhjetori.
Sipas njoftimit masat do të qëndrojnë në fuqi deri më 1 mars 2021, dhe janë ndërmarrë nga autoritetet turke për frenimin e përhapjes së pandemisë.
Gjithashtu bëhet me dije se udhëtarët që nuk janë pajisur me përgjigjen e testit, do të karantinohen për 7 ditë dhe më pas do t’i nënshtrohen tamponimit.
“Që nga 28 Dhjetori 2020, të gjithë udhëtarëve tanë që fluturojnë në Turqi nga jashtë u kërkohet të paraqesin një test negativ PCR të marrë brenda 72 orëve të fundit”, shkruan Ambasada Turke në Tiranë.
Top Channel