Qeveria dhe Kuvendi do të kufizojnë më tej përdorimin e armëve të zjarrit nga Garda e Republikës.
Drafti i hartuar nga Ministria e Brendshme për Gardën e Republikës, i cili do të shkojë së shpejti për miratim në Kuvend, heq nenin 25 të ligjit në fuqi, i cili parashikon që punonjësi i gardës përdor armën e zjarrit kur sulmohen personalitetet e larta shtetërore të vendit dhe të huaja, rojet dhe objektet në ruajtje. Drafti parashikon që punonjësi i gardës përdor forcën si mjetin e fundit për të siguruar nga aktet e dhunshme personalitetet e larte, objektet dhe për vetëmbrojtje. Në këto raste, forca përdoret si mjet i fundit dhe nuk ka karakter ndëshkues. Masa e forcës së përdorur duhet të jetë në minimumin e mundshëm dhe përdoret në kohën më të shkurtër të mundshme.
Me përdorim të forcës, nisma e re ligjore nuk nënkupton përdorim të armës, por ushtrimin e forcës fizike dhe pajisjeve të tjera, në mënyrë proporcionale. Ndërkaq, garda do të përdorë armatimin në bazuar në ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, i miratuar nga mazhoranca në vitin 2014, duke shfuqizuar ligjin e vitit 1998. Nisur nga krimi i 21 Janarit 2011, ku Garda e Republikës nën hijen e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, hapi zjarr mbi protestuesit, duke vrarë 4 qytetarë dhe plagosur gjashtë të tjerë, ligjvënësit socialistë janë kujdesur, duke përcaktuar qartë rrethanat dhe kushtet kur gardisti përdor armën e zjarrit.
Në ligj është ndaluar rreptësisht jo vetëm hapja zjarr mbi turmë, siç ndodhi në 21 Janar, por që ndalohet edhe të qëlluarit në ajër me armë zjarri mbi grumbullime njerëzish, si një mënyrë për shpërndarjen e tyre. Në rast tubimesh të dhunshme, garda do të përdorë armën e zjarrit vetëm kundër personave të veçantë, të cilët janë të armatosur dhe që kryejnë vepra të dukshme dhune kundër jetës së personave të tjerë. Edhe në këtë rast, ligji parashikon, që arma e zjarrit përdoret vetëm kur përdorimi i masave të tjera shtrënguese nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.
Në rrethanat e mësipërme, gardisti duhet të identifikojë veten dhe të japë një paralajmërim të qartë, duke u shprehur me zë të lartë “Ndal”, ndjekur nga paralajmërimi i dytë “Ndal se do të qëlloj”, nëse ai nuk ndalet. Në rrethana objektivisht të pamundura dhe të ngutshme, mund të mos bëhet paralajmërimi në rast se një veprim i tillë rrezikon subjektet e gardistit. Në këtë rast qëllohet pa paralajmërim, por duke synuar në pjesët e poshtme të trupit.
Nga Adriatik Doci
Top Channel