
Ylber Tola pretendon se prokuroria e ka anashkaluar ngjarjen dhe nuk ka hetuar shkaqet e vdekjes së gruas dhe dy fëmijëve.
Tola tregoi për “Shqipëria live” se policët i thonë që familjarët kanë vdekur nga soba e druve por ai nuk ka marrë asnjë dokument ose raport mjeko- ligjor.
E mbijetuara e ngjarjes tragjike, vajza 19 vjeçare tregon se soba e druve nuk ishte ndezur. “ Soba nuk ishte e ndezur, nuk mbaj mend ndonjë erë të keqe, mami më kërkoi ujë, i dhashë dhe më pas nuk mbaj mend më çfarë ndodhi”- rrëfen vajza.
Eksperti në studio shpjegon se një raport mjeko- ligjor përgatitet për maksimumi një-dy muaj, por kanë kaluar 10 muaj. -“Mund të jetë neglizhencë e prokurorisë, meqë ngjarja ka qenë në zonë periferike dhe as nuk është bërë shumë mediatike. Është vdekje e trefishtë, hetimi duhet të jetë më serioz”.
Megjithatë, eksperti nuk hedh poshtë faktin se raporti mund të ketë dalë dhe kryefamiljari thjesht nuk ka ditur ku të drejtohet.
45-vjeçarja Rajmonda Tola humbi jetën bashkë me dy fëmijët, vajzën 22-vjeçe dhe djalin 15 vjeç në muajin shkurt të këtij viti. Në fillim u dyshua se shkak ishte një rrjedhje gazi prej bombolës që kishin në shtëpi, por ende nuk dihet rezultati mjeko- ligjor i tre viktimave.
Nga katër familjarët që ndodheshin në banesë, mbijetoi vajza 19 vjeçe. Vetë Ylber Tola ishte në Greqi.
Top Channel