Pak ditë pasi nisi vaksinimi kundër koronavirusit Sars-CoV-2, një variant i ri i tij, edhe më infektues ka shkaktuar alarm.
Mbretëria e Bashkuar, ku dhe u zbulua varianti i ri, ka vendosur masa të ashpra izolimi dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet drejt këtij vendi.
“Kur virusi ndryshon metodën e sulmit, ne duhet të ndryshojmë metodën e mbrojtjes”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.
Varianti i ri, sipas eksperteve, është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të prekura prej tij dhe në mes të dhjetorit, kjo shifër shkoi në afro dy të tretat. Johnson shpjegoi se ky variant mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai gjendet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përveç Irlandës së Veriut, por është më i përqendruar në Londër dhe në Anglinë Lindore.
Profesori i virologjisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Stuart Neil, tha për The Guardian se “të dhënat e grumbulluara deri më tani, bëjnë të kuptojnë se varianti është më infektues”. Neil thotë se në këtë moment, më shqetësuese janë ndryshimet në një proteinë specifike që përdor virusi për të hyrë në trupin e njeriut. Deri tani, nuk ka prova që të tregojnë se ky mutacion e bën infeksionin më vdekjeprurës, por edhe kjo sipas shkencetareve, duhet të monitorohet me kujdes. Edhe vete megjithatë, rritja e transmetimit mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar probleme të mëdha me spitalet.
Top Channel