Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan po vijojnë punën për transformimin e Piramidës në një qendër të madhe të teknologjisë së informacionit, por njëkohësisht 250 të rinjtë e parë, nga mosha 12-18 vjeç, e kanë nisur mësimin në “Tumo Tirana”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të mbështesë me bursa edhe fëmijët që vijnë nga familje me kushte të vështira ekonomike.
“Për fëmijët që vijnë nga familje në nevojë, jemi të gatshëm t’i subvencionojmë. Është mëkat të harxhosh kohën kot, kur mund të investojmë në aftësimin e të rinjve me një zanat apo një kurs që nesër do të japë më shumë oferta për punësim, duke ofruar dije për një botë që gjithmonë e më shumë kërkon këtë lloj aftësish që mëson TUMO”, theksoi Veliaj.
Ai shprehu bindjen se TUMO do të vijojë të rritet edhe në vitin e ardhshëm, ku shumë të rinj do të ndjekin një model të ri edukimi, ku ndërthuret arti dhe teknologjia. “Fakti që kemi 250 të rinjtë e parë nga mosha 12-18 vjeç, që e kanë nisur këtë udhëtim, është shumë inkurajues. Imagjino ç’mund të bëjmë vitin e ardhshëm, ku me gjasa do kemi një fushatë vaksinimi, do kthehemi në normalitet, dhe do duhet të ndezim motorët e ambicieve dhe të energjive tona më të mira”, deklaroi Veliaj.
Bashkë-drejtori ekzekutiv i AADF-së, Martin Mata, siguroi se Piramida do të jetë shumë shpejt gati, për të mikpritur fëmijët që do të mësojnë gjuhën e kodimit. TUMO Tirana është qendra më e madhe e teknologjisë që synon të aftësojë të rinjtë me njohuritë e shek. të 21, duke ofruar kurrikula në fushën e inovacionit dhe artit. TUMO Tirana është një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç të cilët do të kenë mundësinë të zbulojnë pasionin e tyre në 8 disiplina të ndryshme, si Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling. Ndërsa përgatitet projekti i transformimit më të rëndësishëm në kryeqytet, Piramida e Tiranës, e cila do të jetë dhe shtëpia e përhershme e TUMO Tirana, përkohësisht TUMO Tirana po operon në Qendrën Arena.
Top Channel