Orizi është ndër ushqimet bazë të njeriut. Studimet e reja thonë se ngrënia çdo ditë e orizit i ndihmon njerëzit të kujdesen më shumë për peshën e tyre. Sipas studimeve, orizi shërben si një udhërrëfyes për ushqyerjen e shëndetshme dhe mirëmbajtjen e peshës. Njerëzit që hanë oriz rregullisht ose edhe çdo ditë, e kanë më të lehtë të konsumojnë më shumë fruta, perime, legume dhe drithëra.

Për më tepër, orizi, i zi ose i bardhë, nxit ndjesinë e ngopjes dhe rrjedhimisht nxit njerëzit të hanë më pak. Të dy llojet e orizit janë të pasuruar me një larmi vitaminash dhe mineralesh të cilat i japin organizmit, ushqyesit e domosdoshëm. Sipas ekspertëve, ngrënia e orizit çdo ditë është efikase për shëndetin dhe mirëqenien.

Cili Është Orizi Më i Shëndetshëm Që Duhet të Zgjidhni
Orizi i bardhë gatuhet më shpejt. Megjithatë, përpunimi i kokrrave të tij heq pjesën më të madhe të fibrës. Një racion me oriz kaf ka 3 gramë e gjysëm fibër ndërsa ai i bardhë ka më pak se një gramë fibër. Çdo njeri ka nevojë për 28-35 gramë fibër në ditë.

Vlerat Shëndetësore
Fibra e orizit kaf është shumë e mirë për sistemin tretës. Studimet kanë treguar se një regjim ushqimor i pasur me fibër është i dobishëm në menaxhimin e kolesterolit dhe uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Sipas të dhënave orizi kaf përmban magnez, mangan dhe zink, të cilat nuk gjenden tek orizi i bardhë.

Megjithatë, ky i fundit shpesh pasurohet me disa minerale siç është hekuri dhe vitaminat B. Orizi kaf është shpesh më i rekomandueshëm, ose së paku sigurohuni që ai i bardhë të jetë i pasuruar me hekur dhe vitamina.

Gatimi Dhe Servirja
Disa njerëz preferojnë shijen, paraqitjen dhe përmbajtjen e orizit kaf. Ky i fundit ka një aromë të fortë dhe është i fortë në përtypje. Orizi kaf mund të përzihet me shumë drithëra të tjerë për të ofruar një përtypje më të butë. Ai gjithashtu kërkon shumë kohë për t’u gatuar ndërsa ai i bardhë përgatitet në pak minuta. Të dy llojet mund të kombinohen në shumë receta të ndryshme sallatash, perimesh, kërpudhash e të tjerë.

Disa Kuriozitete mbi Orizin
Në Indi, orizi ka domethënien e begatisë dhe është drithi i preferuar i Perëndisë së Pasurisë, Lakshmi. Orizi më aromatik në botë është ai Basmati që kultivohet në Himalaje. Azia konsumon dhe prodhon 90% të orizit në botë.

Në Indi, ai është ushqimi i parë që një grua i ofron bashkëshortit pas martese, por edhe ushqimi i parë që i jepet një fëmije pas qumështit, për t’i sjellë fat dhe begati. Edhe të vegjëlit fëmijë shqiptarë, ushqimin e parë e marrin me bazë orizi. Në të gjithë botën, kjo kokërr përdoret për t’u hedhur mbi nusen dhe dhëndrrin që ata të jenë të begatë. /AgroWeb.

Top Channel