Prokurori i Përgjithshëm, William Barr dha papritur dorëheqjen këtë javë, duke mbyllur një mandat që u shoqërua me polemika të shumta, qoftë me lëvdata nga republikanët si zyrtari më i lartë i ligjit që riktheu rendin, e deri tek akuzat e kritikëve se po vepronte më tepër si avokat personal i presidentit se sa si autoriteti më i lartë në vend për zbatimin e ligjit.
Presidenti Trump e njoftoi dorëheqjen e zotit Barr të hënën me një postim në Twitter, ku thoshte se prokurori i përgjithshëm do të largohej nga posti më 23 dhjetor, thuajse dy vjet pasi mori detyrën për të zëvendësuar ish-prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions. Polemikat lidhur me punën e zotit Barr për 22 muaj në krye të Departamentit të Drejtësisë, për herë të dytë në këtë post, vazhdojnë ta ndjekin që nga momenti që u bë njoftimi i dorëheqjes së tij.
Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell e lavdëroi për angazhimin e tij ndaj sundimit të ligjit, duke shkruar në një deklaratë se zoti Barr “ishte i palëkundur në mbështetjen e parimit të thjeshtë, por siç duket që krijon reagime të forta, se qeveria federale duhet të zbatojë ligjet ekzistuese”.
“Tani, për herë të dytë si prokuror i përgjithshëm, Bill Barr do ta lërë Departamentin e Drejtësisë dhe vendin më të fortë se sa i gjeti,” shkruante zoti McConnell. Zoti Barr ka qenë më parë prokuror i përgjithshëm gjatë administratës së Presidentit President George H. W. Bush në fillim të viteve 1990. Por demokratët, disa prej të cilëve më parë kanë bërë thirrje për nisjen e procedurave per shkarkimin e zotit Barr mbi pretendimet për mosrespektim të ligjit, e akuzuan atë për politizim të Departamentit të Drejtësisë dhe se ka qenë në shërbim të presidentin.
“Këdo që Joe Biden zgjedh si Prokuror të Përgjithshëm do të ketë një punë të jashtëzakonshme për të bërë për të riparuar integritetin e Departamentit të Drejtësisë”, thuhej në një deklaratë të Jerrold Nadler, kryetari demokrat i Komisionit Jurik të Dhomës së Përfaqësuesve. Ndërkohë në ditët në vijim Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të shpallë emrin që ai ka përzgjedhur për detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.
Kur zoti Trump caktoi zotin Barr në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në dhjetor 2019, emri dytë që ai caktonte gjatë mandatit të tij për këtë funsksion, pak parashikuan polemikat që do të nxiste mënyra se si ai do ta drejtonte departamentin. Ndryshe nga zoti Session, zoti Barr nuk ishte politikan. Si një jurist dhe veteran tejet i vlerësuar i departamentit, ai pritej gjerësisht të mbronte agjencinë e zbatimit të ligjit nga ndërhyrjet politike dhe sulmet e zotit Trump. Paul Rosenzweig, një ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë që aktualisht punon për Institutin R Street, një grup ekspertësh konservatorë, tha se ai edhe ai kishte fillimisht këtë pikëpamje mbi zotin Barr.
“Mendova se ai do t’i rikthente integritetin Departamentit të Drejtësisë, por si shumë juristë të tjerë edhe unë jam zhgënjyer shumë”, thotë zoti Rosenzweig në një intervistë. “Nuk e di nëse isha unë që e gjykova keq, apo ishte ai që ndryshoi”, shton zoti Rosenzweig.
Hetimet ndaj Rusisë
Mandati i zotit Barr mori një kthesë të diskutueshme pothuajse prej fillimit të punës, pasi ai u shfaq si një nga mbrojtësit më të ashpër të zotit Trump kundër asaj që ai e ka quajtur një hetim të “rremë” të FBI-së mbi dyshimet për lidhje mes zyrtarëve të fushatës për president të zotit Trump në 2016 dhe Rusisë.
Pas disa javësh në detyrë, pasi Prokurori i Posaçëm që udhëhoqi hetimet mbi Rusinë Robert Mueller paraqiti raportin e tij tek zoti Barr në mars 2019, Prokurori i Përgjithshëm i dërgoi Kongresit një përmbledhje të shkurtër që kritikët thanë se ishte shtrembërim i përmbajtjes së raportit dhe dilte në përfundimin se zoti Trump nuk e kishte penguar drejtësinë. Kjo i dha mundësinë presidentin të kërkonte lirimin nga akuzat. Zoti Barr më vonë publikoi një variant pak të redaktuar të raportit të plotë dhe mohonte me forcë se kishte gënjyer ligjvënësit.
Polemikat nuk u ndalën këtu. Në muajt që pasuan, zoti Barr u denoncua kur ngriti supozimet se zyrtarë të fushatës së zotit Trump ishin spiunuar dhe se ishte përgjuar një prokuror lidhur me hetimet mbi Rusinë. Ai tërhoqi kritika të mëtejshme për ndërhyrjen në ndjekjen penale të dy bashkëpunëtorëve të zotit Trump, ndaj të cilëve Mueller kishte ngritur akuza, Roger Stone dhe Michael Flynn dhe se në qershor kishte urdhëruar agjentët federalë për të shpërndarë protestuesit jashtë Shtëpisë së Bardhë në mënyrë që zoti Trump të shkonte tek një kishë aty pranë për një fotografi zyrtare.
Zoti Rosenzweig tha se përpjekjet e zotit Barr në emër të zotit Trump minuan traditën e Departamentit të Drejtësisë si një institucion i pavarur që pas skandalit të Watergate-t duke nxitur humbje të besimit tek eprorët dhe puna e agjencisë. Në shkurt të vitit 2020, pasi zoti Barr shfuqizoi rekomandimin e prokurorëve për një dënim të gjatë për zotin Stone, më shumë se 1 mijë ish-zyrtarë të departamentit kërkuan dorëheqjen e tij.
Një Departament Drejtësie në shërbim të Popullit
Për të rivendosur besimin tek Departamenti i Drejtësisë, ajo që është e nevojshme është kthimi tek “dokumentet që rregullojnë veprimtarinë e institucionit që datojnë gjysmëshekull më parë”, shkruante ish-zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Donald Ayer, përfaqësues i republikanëve, në një opinion të botuar në gazetën USA Today të hënën. “Detyra e menjëhershme e administratës Biden është vendosja në funksion e një Departamenti që mund të fitojë besimin e publikut sepse padyshim është kjo ajo çka meriton”, shkruate zoti Ayer.
Zoti Biden ka thënë se ai planifikon ta bëjë pikërisht këtë gjë. Në një intervistë më 2 dhjetor për rrjetin televiziv CNN, zoti Biden tha se Departamenti i Drejtësisë nën administratën e tij do të jetë i pavarur. “Nuk do t’u them unë atyre se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo”, tha zoti Biden. “Nuk do të them shkoni ndiqte penalisht këtë apo iks person. Ky nuk është roli i tij. Ky nuk është Departamenti im i Drejtësisë është Departamenti i Drejtësisë i popullit”, tha ai. Prokurori i Përgjithshëm “do të ketë mundësi që në mënyrë të pavarur të vendosë se kush ndiqet penalisht dhe kush jo” tha zoti Biden.
Ndër pretendentët kryesorë për postin më të lartë të Departamentit të Drejtësisë thuhet se është senatori demokrat në largim dhe miku i vjetër i zotit Biden, Doug Jones. Zoti Rosenzweig tha se Prokurori i Përgjithshëm i ardhshëm ka një detyrë të vështirë përpara. “Ai duhet të rivendosë kulturën e punës, të rishikojë atë që ka ndodhur më parë, të ndryshojë procedurat dhe të vendosë rregulla që i bëjnë më të vështira, për shembull, ndërhyrjet politike” tha zoti Rosenzweig. “Nuk do të jetë një detyrë e lehtë”, shtoi ai.
Mbështetje për zotin Barr
Përkrahësit e zotit Barr thonë se si prokuror i përgjithshëm ai luftoi për pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë. Në shkurt, zoti Barr tha në një intervistë për emisionin ABC News se ai “nuk do të epej para presionit apo të influencohej nga ndokush… qoftë nga Kongresi, bordi redaksional i një gazete apo presidenti”. Në maj, kur Presidenti Trump dhe republikanët sulmuan kreun e FBI-së, Christopher Wray lidhur me hetimet mbi ndërhyrjet ruse, zoti Barr theksoi se kishte besim tek drejtori i FBI-së.
“Ai qëndroi përkrah Chris Wray-t dhe tha se mendonte që zoti Wray po bënte punë të mirë,” tha John Malcolm, ish-prokuror federal dhe tani nënpresident i Institutit për Qeveri Kushtetuese pranë Fondacionit Heritage. “Mendoj se zoti Barr ishte një zë i pavarur”.
Para zgjedhjeve të 3 nëntorit, Bill Barr e mbajti institucionin që drejtonte jashtë politikës, duke mos bërë publike faktin që ishte hapur një hetim nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me taksat e Hunter Bidenit dhe duke i rezistuar presionit të presidentit për të nxjerrë një raport mbi përfundimet e prokurorit të posaçëm, John Durham, thotë zoti Malcolm. Më pas, më 1 dhjetor, zoti Barr, duke iu kundërvënë retorikës së presidentit, tha në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press se nuk kishte zbuluar prova për manipulime në masë në zgjedhje./VOA
Top Channel