Mik i Epstein/ Arrestohet manjati francez i modelingut për përdhunim, sulme seksuale ndaj të miturave (fotot)

17/12/2020 17:04

Një agjent i famshëm modelingu në Francë, i akuzuar se ka pasur një të dashur të përbashkët me princin britanik Andrew është arrestuar sot për përdhunim dhe trafikim seksual të vajzave të mitura.

74 vjeçari Jean-Luc Brunel, u ndalua dje nga policia e Parisit në aeroportin Charles de Gaulle, teksa përpiqej të merrte një fluturim drejt Dakar në Senegal.
Brunel akuzohet tashmë se ka qenë zv.kreu i një rrjeti global të trafikimit seksual të të miturave për llogari të financierit famëkeq amerikano-hebre Jeffrey Epstein, tashmë të vdekur në burg.

Ky i fundit besohet se vrau veten në burg vitin e kaluar teksa priste gjyqin për krime të shumta seksuale ndaj të miturave.

Duke folur për Brunel, burimet franceze të prokurorisë thanë sot: “I dyshuari është ndaluar për përdhunim, sulm seksual, konspiracion kriminal, trafik njerëzor, akuzat që të gjitha kanë lidhje me minorenë”.

Brunel po merret në pyetje tashmë për lidhjet e tij me figura të tjera të përfolura të trafikut seksual të minorenëve si Epstein, apo dhe bashkëpunëtorë të pedofilit të pasur, si e akuzuara tjetër Ghislaine Maxwell dhe britaniku Duka i York.

Hetimet zyrtare mbi veprimet e Brunel ishin hapur prej gushtit të shkuar kur u mësua se Brunel dhe djali i dytë i mbretëreshës së Britanisë, kishin pasur një të dashur të përbashkët.

Fjala është për akuzuesen aktuale të princit britanik Virginia Roberts Giuffre, e cila u ka thënë prokurorëve se ishte punësuar se ‘skllave seksi’ duke u detyruar të flinte me Dukën britanik disa herë kur ishte 17 vjeçe. Ky i fundit i mohon pretendimet.

Por Roberts Giuffre thotë gjithashtu se ka pasur disa herë marrëdhënie seksuale me Brunel kur ka qenë me moshë nga 16 deri në 19 vjeç, sipas dokumenteve të depozituara në Francë dhe SHBA.

Brunel akuzohet gjithashtu se me anë të kontakteve në industrinë e tij të modelingut ka ndihmuar në furnizimin me viktima të trafikut seksual të Epstein dhe miqtë e tij.

Brunel akuzohet se ka sjellë tre motra nga Parisi në SHBA, me qëllim që ato të abuzoheshin nga Epstein si ‘dhuratë për ditëlindje’.

Epstein – mik dhe bashkëpunëtor i vjetër i Brunel, kreu vetëvrasje në burg në New York teksa priste të gjykohej si pedofil dhe abuzues i të miturave.

Prokurorët besojnë se agjencia e modelingut MC2 e themeluar nga Brunel ishte një maskim për rrjetin e trafikut seksual të Epstein.

Brunel e ka nisur karrierën e tij si zbuylues modelesh dhe ka punuar me emra si Sharon Stone, Monica Bellucci apo Jerry Hall.

Top Channel