Gjurmët e hebrenjve në Librazhd/ Mendohet që ata kanë kaluar që në shekullin e XII

16/12/2020 19:54

Teksa përshkon rrugën nacionale Librazhd-Peshkopi, nuk mund të mos të zej syri fshatin Llangë me ndërtesa 3 dhe 4 katëshe të cilat datojnë aty rreth shek. XII.

Arkitektura mahnitëse është e ngjashme me atë të mjeshtërve dibranë në ndërtimin e kullave prej guri 3 dhe 4 katëshe me dritare frëngji. Stili është rustik ku janë përdorur gurë lumorë dhe gëlqerorë, ndërsa në qindra e qindra vite duket sikur këtu koha nuk ka kaluar. Të vetmet pjesë të dëmtuara janë në shtesat e bëra në epoka të mëvonshme dhe me tjetër stil ndërtimi.

Por ajo që të bie në sy, në kullën më të madhe të fshatit Llangë, në këtë kullë 4 katëshe, në pjesën lindore në një cep të saj gjendet ylli i Davidit, simboli hebre i yllit me 6 cepa me shenjën e diellit në mes. Ç’ka të bën të ,mendosh se aty rreth shekullit të XII në këtë zonë kanë kaluar fise izraelite, ndoshta edhe sepse këtu kalonte një degëzim i rëndësishëm i rrugës Egnatia.

Simbole hebreje në qarkun e Elbasanit gjen shumë dhe sidomos aty ku kalon rruga Egnatia, ndoshta për faktin se hebrenjtë njihen si artizanë të zotë dhe zgjidhnin rrugën tregtare për të ushtruar aktivitetin e tyre dhe për të jetuar. Historia thotë se hebrenjtë kanë kaluar në Shqipëri aty rreth shek XV në jugun e vendit, por pikëpyetje ka nëse këto gjurmë janë edhe më të hershme dhe datojnë aty rreth shek XII.

Me një histori të jashtëzakonshme e cila ka vend për tu studiuar sërish, fshati llangë është tërësisht i braktisur. Këtu nuk jeton më asnjë familje, ndërsa kullat do të vazhdojnë tu qëndrojnë shekujve, ndoshta për të treguar se ky vend mund të ishte një atraksion shumë i madh.

Top Channel