Ulja e temperaturave me ardhjen e stinës së dimrit ka bërë që nevojat për ngrohje në shtëpi të bëhet e domosdoshme.
Edhe pse në zonën e Lushnjes apo Divjakës kryesisht nuk bën ftohtë si në zonat veriore apo verilindore, përsëri ngrohja me dru mbetet një nga alternativat kryesore. Duke patur parasysh këtë, shumë persona, në pamundësi për të blerë dru, që shiten me një çmim ku varion nga 45 deri në 50 mijë lekë të vjetra i prisnin ato në pyje ilegalisht. Një nga zonat që dëmtohej më shumë ishte pylli i Gjenerukës, pjesë e parkut Divjakë Karavasta. Për të parandaluar këtë fenomen, i cili shkatërronte këtë pyll, Agjencia e Zonave të Mbrojtura në Divjakë nisi të aplikojë një projekt, ku do t’i vinte në ndihmë banorëve në sigurimin e druve.
Projekti i hartuar nga administratat e zonave të mbrojtura, në parkun e Divjakës nisi zbatimin e tij duke bashkëpunuar me kryepleqtë e disa fshatrave në Bashkinë e Divjakës, ku u kërkua evidentimi i familjeve në nevojë për dru zjarri dhe përpilimi i një liste. Sigurimi i druve bëhet duke pastruar pyllin e Gjenerukës nga një skuadër, e cila është zgjedhur vetë nga kryepleqtë e fshatrave duke u monitoruar nga punonjësit e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Divjakë. Në një ditë janë rreth 4 familje, të cilat sigurojnë drutë me një çmim 20 mijë lekë të vjetra për metër kub, ku pagesa për blerjen e këtyre druve shkon për skuadrën, e cila merret me prerjen.
Për Ardian Kocin, drejtor i zonave të mbrojtura në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta ky projekt ka dhënë rezultate të mira, pasi në këtë mënyrë është ndaluar dhe prerja ilegale nga banorët. Veç sigurimit të druve për banorët, ky projekt ka sjellë dhe një avantazh tjetër, atë të hapjes së rrugëve të brendshme të pyllit, ku në raste zjarri, zjarrfikësja të hyje pa u penguar, gjë e cila nuk ndodhte prej 30 vitesh.
Por ata që kanë përfituar më shumë nga ky projekt janë vetë banorët, të cilët shprehen të kënaqur me këtë zgjidhje. Për ta kjo është një ndihmë e madhe.
Top Channel