Banka Qendrore e Sllovenisë pret që bruto prodhimi vendor të bie me 7.6 për qind këtë vit, në vend të 6.4 për qind që parashikoi në qershor.
Në të njëjtën kohë, Banka e Sllovenisë uli parashikimin e rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm nga 4.9 për qind në 3.1 për qind, ndërsa për vitin 2022 përmirësoi parashikimin me pothuajse të gjithë pikën e përqindjes në 4.5 për qind, raporton agjencia e lajmeve sllovene STA.
“Sipas këtij skenari, Sllovenia do të kthehej në nivelin e para koronavirusit vetëm në fund të vitit 2022,” tha Ariana Brezigar Masten, kreu i departamentit analitik dhe hulumtues të bankës qendrore. Ajo shton se këto vlerësime varen nga suksesi i futjes së vaksinave të koronavirusit.
“Nëse vala e dytë e epidemisë do të përmbahej këtë vit, Sllovenia mund të kthehej në nivelet para koronavirusit në vitin 2021, dhe nëse situata e pafavorshme epidemiologjike vazhdon, bruto prodhimi vendor mund të vazhdojë të bie vitin e ardhshëm, që do të thotë se vendi nuk do të arrinte nivelet para-pandemike para fundit të vitit 2022”, shpjegon Brezigar Masten.
Sipas saj, rënia e këtij viti u lehtësua kryesisht nga masat stimuluese ekonomike, pa të cilat recesioni do të kishte qenë një e treta më e thellë.
Nxitjet qeveritare gjithashtu e kanë mbajtur të qëndrueshëm tregun e punës, kjo është arsyeja pse banka qendrore pret që papunësia të mos jetë aq e keqe sa u frikësua fillimisht. Punësimi parashikohet të bie me 1.5 për qind këtë vit dhe 0.3 për qind vitin e ardhshëm, përpara se të rimëkëmbet 1.4 për qind në 2022.
Sipas Masten, vlerësohet se shkalla e papunësisë do të rritet vitin e ardhshëm, por përsëri do të jetë nën 6 për qind, e cila është “dukshëm më pak se në krizën e mëparshme financiare”.
Banka e Sllovenisë gjithashtu vlerëson se rënia e eksporteve këtë vit do të arrijë në mbi 11 për qind dhe se në dy vitet e ardhshme ajo do të regjistrojë një rritje përkatësisht me 7.2 dhe 6.8 për qind. Importet, rënia e të cilave në vitin aktual mund të shihet në nivelin mbi 13 për qind, duhet të tejkalojnë eksportet në dy vitet e ardhshme.
Inflacioni vjetor parashikohet të jetë minus 0.2 për qind në vitin 2020 dhe kur situata epidemiologjike të përmirësohet, banka qendrore pret që rritja e saj të arrijë 0.9 për qind vitin e ardhshëm, dhe në 1.3 për qind në vitin 2022.
Top Channel