BE-ja është shumë pranë nisjes së vaksinimit ndaj Covid 19. Kryetarja e komisionerit europian, Ursula von der Leyen e bëri të qartë se vaksinat e para europiane, mund të nisin brenda dy javëve.
“Cdo ditë është e rëndësishme. Po punojmë me maksimumin e shpejtësisë për të autorizuar vaksinat për Covid 19. Po marrim të gjithë informacionin e nevojshëm përpara takimit ku do të diskutohet për shpërndarjen e vaksinës së Pfizer-BionTech përpara Krishtlindjeve. Megjithatë ka shumë mundësi që europianët e parë të vaksinogen përpara fundit të vitit 2020”.
Gjermania i ka bërë presion autoriteteve europiane për një miratim të shpejtë të vaksinës, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara e nisën të hënën fushatën e imunizimit. Nga e mërkura vendi do të hyjë në një izolim të ashpër pasi infektimet mbërriten nivele rekord. Një sërë vendesh të tjera europiane kanë vendosur masa më të rrepta për periudhën e festave, nga frika se javët në vazhdim mund të sjellin një hov të ri të sëmundjes.
Holanda hyri në një karantinë pesë javore, e do të mbyllë të gjithë dyqanet jo të domosdoshme, teatrot e palestrat. Franca e ka hequr izolimin, por masat kundër pandemisë mbeten në fuqi, Spanja paralajmëron për një situatë delikate përpara Krishtlindjeve, ndërsa kryeministri Italian, Giuseppe Conte tha se qeveria e tij duhet të vendosë masa të reja kufizuese gjatë periudhës festive, me qëllimin të parandalohet një vale e tretë shkatërruese e koronavirusit.
Top Channel