64 fëmijë janë duke u trajtuar në qendrën ditore të trajtimit të fëmijëve me autizëm në Gjirokastër, por një numër shumë më i madh fëmijësh dhe të rriturish me probleme të elementëve të autizmit, sindromës Down, çrregullimeve të tjera psikologjike dhe depresionit të shkallëve të ndryshme, ende nuk po marrin trajtim për mungesë ambientesh, programesh dhe terapistësh.

Maralba Bime, që e drejton qendrën prej disa vitesh thotë se mezi pret që të zhvendosen në një ambient të ri që sapo ka filluar të rehabilitohet për ta. Ajo shpreson që investimi i shumëpritur prej vitesh, t’i çelë rrugë disa programeve të reja dhe trajtimit për më shumë persona në të ardhmen.

Në qendrën aktuale 64 fëmijë dhe 10 anëtarë të stafit po përdorin një tualet të vetëm dhe ndonjëherë terapistëve u duhet të ndajnë një klasë për të trajtuar dy fëmijë njëkohësisht.

Këshilli i Qarkut konfirmoi se qendra e re terapeutike pritet të jetë gati në pranverë pas një investimi që do të përshtasë mjediset e ish-konviktit të shkollës artistike, megjithatë do të varet nga Ministria e Shëndetësisë nëse do të ketë staf të shtuar për trajtimin e fëmijëve që udhëtojnë drejt Gjirokastrës nga i gjithë qarku.

Sfida kryesore e profesionistëve të kësaj qendre është aftësimi i fëmijëve për në shkollë. Në 90% të rasteve, fëmijët paraqesin probleme të sjelljes, të të nxënit, të hiperaktivitetit, mungesës së përqendrimit dhe perceptimit dhe jo në pak raste, edhe të agresivitetit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA