Një marrëveshje e re mes Italisë dhe Kinës e ka kthyer qytetin port të Triestes në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Qyteti ka qene dikur mundësia e vetme e Perandorisë së Habsburgut për të pasur korridor në det, prandaj është konsideruar mjaft i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike.
Në vitin 1719, ai u shpall nga Karl VI zonë e lirë tregtare, cka e ktheu në pikë kryqëzimi për Europën lindore. Më pas, në shekullin e 20-të, gjatë Luftës së Ftohtë, qyteti e humbi shkëlqimin dhe rëndësinë dhe u kthye në periferi të izoluar nga Europa, duke rënë kështu viktimë e Perdes së Hekurt. Por tani qyteti port italian i Triestes, është duke përjetuar një epokë të re, të artë, thotë DË. Tashmë pozicioni strategjik e ka kthyer në stacion ideal edhe për rrugën e re detare të mëndafshit. Marsin e 2019, Italia nënshkroi një memorandum me Kinën, duke u bërë kështu vendi i parë i grupit të G-7, që merr pjesë në Rrugën e re të Mëndafshit.
Nga Brukseli dhe vende të tjera të BE-së, kritikat erdhën breshëri. „Ajo çka prezantohet në publikun italian si deklaratë me synime komerciale, është në fakt njohja politike e projektit të Rrugës së Mëndafshit nga një prej vendeve të G7, pra një çështje që duhet marrë seriozisht,“ thote ekspertja Giada Messetti. “Kinezët i kanë bërë mirë planet për t’u bërë ata që janë sot. Ata kanë bërë një projekt ekonomik. Dhe meqenëse rëndësia e tyre ekonomike në botë është kaq e madhe, vetëkuptohet që ata duan të marrin ndikim në botë”, shton ajo.
Edhe pse marrëveshja e diskutueshme e mes Italisë dhe Kinës nuk ka sjellë deri më sot ndonjë projekt konkret, në prapaskenë puna është ndryshe: „Faktikisht ne jemi duke biseduar me kinezët prej disa kohësh,“ tregon Francesco Parisi, kryetari shoqërisë PLT, të ngarkuar me ndërtimin e një terminali multifunksional në sipërfaqen e portit të Triestes.
Top Channel