Boris Johson dhe Ursula von der Leyen, zyrtarja më e lartë e BE-së, sot bën një hap larg humnerës së sigurt, nëse nuk do arrinin një marrëveshje për tregtinë mes dy entiteteve pas Brexit-it, që fillon zyrtarisht më 1 janar.
Të dy udhëheqësit, pas një telefonate këtë të diel ranë dakord “të bënin një milje më shumë” drejt arritjes së një marrëveshjeje. Brexit-i ndodhi në janar të këtij viti dhe nëse shumë gjëra duket se nuk kanë ndryshuar, kjo për faktin se Londra dhe Brukseli ranë dakord t’i japin vetes një vit kohë për një marrëveshje, e cila duhet arritur brenda 31 dhjetorit.
Shumë gjëra që sot merren të mirëqena për britanikët dhe evropianët nuk do të jenë më kështu më 1 janar duke filluar nga koha e qëndrimit në vendet respektive, te radhët e gjata nëpër kufij, e deri te mënyra se si do bëhet tregti mes tyre. Edhe pse është shtyrë afati për arritjen e marrëveshjes për disa ditë, ndoshta edhe një ose dy javë, status quo-ja do ndryshojë më 31 dhjetor, brenda së cilës date do duhet si Britania ashtu edhe 27 vendet e BE-së të ratifikojnë marrëveshjen e mundshme, mungesa e së cilës do ishte shkatërrimtare për ekonominë e Britanisë dhe atyre evropiane. Është ende e pasigurt nëse bisedimet do të konkludojnë në marrëveshje, por shanset e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sërish janë më të mëdha, pasi e kundërta do ishte rënie në humnerë dhe të dyja palët e dinë këtë.
Top Channel