Franca do të shtyjë rihapjen e institucioneve kulturore dhe do të vendosë ndalimqarkullimin me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri Jean Castex u shpreh se ritmi i infektimeve nuk po bie në nivelin që shpresoi qeveria pas vendosjes së masave të izolimit në fund të tetorit. Nga mesi i muajit do të hyjë në fuqi ndalimi i lëvizjes nga ora 20:00 deri në 06 të mëngjesit. Masa nuk do të hiqet as për Vitin e Ri, me qëllimin të parandalohen tubimet e mëdha.
Qeveria e ka kushtëzuar lehtësimin e masave me rënien e numrit të të infektuarve në rreth 5,000 në ditë. Por kjo shifër ndërkohë të enjten ishte shumë me lartë, duke mbërritur në 13,750.
“Nuk jemi ende në fundin ë valës së dytë dhe nuk do t’i arrijmë objektivat e vëna për 15 dhjetor”, tha kryeministri Castex. “Duhet të mbetemi të përqendruar dhe ta gjejmë rrugën gjatë javëve të ardhshme”, shtoi ai. Një pjesë e francezëve u pajtuan me idenë e mbylljes për festa, ndërsa të tjerë thonë se do ta gjejnë mënyrën të kremtojnë gjithsesi.
“Duke pasur parasysh sesa shumë është përhapur virusi, epo mendoj se në një moment do të na duhet ta shtrëngojmë sërish rripin kur vjen fjala tek liria jonë dhe të bëjmë disa lëshime”, u shpreh Moïse N’daw, shitës.
“Ne jemi një grup i vogël fqinjësh që festojmë së bashku në të njëjtën godinë, dhe ashtu do të bëjmë edhe këtë vit. E njohim njëri-tjetrin, jemi mjaft të afërt, dhe për Vit të Ri besoj do të mblidhemi sërish. Nuk do të jemi 50 veta, por mund të bëhemi një duzinë ose diçka e tillë”, tha David, importues instrumentesh muzikore.
Top Channel