Lezhë, bllokuan trafikun dhe hodhën sende të forta… Procedohen 15 persona që protestuan për vrasjen e Klodian Rashës

11/12/2020 09:37

15 persona janë proceduar penalisht për organizim të paligjshëm, protesta dhe dëmtim prone, si dhe bllokim trafik në Lezhë.

Protestuesit në Lezhë sulmuan komisariatin e policisë në protestën e organizuar ditë e djeshme për vrasjen e Klodian Rashës. Gjithashtu, ata bllokuan aksin Lezhë- Shkodër për rreth një orë, si dhe kanë djegur koshat e mbeturinave në hyrje të qytetit të Lezhës.

Njoftimi i policisë/ Lezhë

Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërruan pronën, penguan qarkullimin e mjeteve të transportit dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë, procedohen penalisht 15 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Bashkisë Lezhë dhe tek rrethrrotullimi në hyrje të qytetit Lezhë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:

-K. A., M. L., S. T., E. Gj., P. M., P. M., K. K., Ll. P., E. H., P. H., S. N., A. R., K. B., A. P. dhe K. U.

Këta shtetas kanë protestuar në mënyrë të paligjshme duke hedhur sende të forta në drejtim të godinës së DVP Lezhë dhe Prokurorisë Lezhë, ku për pasojë kanë thyer disa xhama.

Gjithashtu, kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në aksin rrugor Shkodër – Lezhë – Tiranë, për rreth një orë, si dhe kanë djegur koshat e mbeturinave në hyrje të qytetit të Lezhës.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel