Durrës- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka deklaruar nga Durrësi se testet e shpejta janë shpërndarë në çdo Njësi të Kujdesit Shëndetësor, nga veriu në jug duke rritur kapacitetet e testimit.

“Ashtu sikurse jemi zotuar, jo vetëm që kemi mundësuar që testet e shpejta të vijnë në Shqipëri por edhe të jenë sa më shpejt në funksion në të gjithë territorin. Kjo për të ndihmuar edhe në këtë moment të epidemisë, për të kryer sa më shumë testime, për të bërë testin e shpejtë, një alternativë tjetër të re e cila siguron kufizimin e përhapjes së infeksionit dhe sigurisht një mënyrë shumë më e lehtë për qytetarët për të marrë një përgjigje në një kohë shumë më të shpejtë”, u shpreh Manastirliu.

Duke folur për shtrirjen e testimit të shpejtë, Manastirliu u shpreh se pas datës 20 Dhjetor testet e shpejta do të kryhen në disa pika në Tiranë dhe më pas, edhe në rrethe.

“Prej datës 20 Dhjetor ashtu sikundër ne e kemi thënë, do të fillojmë testimin e shpejtë të antigenit në qendrat shëndetësore. Pikat e qendrave shëndetësore për qytetin e Tiranës do të jenë 6 si fillim dhe më pas në një shtrirje deri në 10 pika për Tiranën. Edhe në qytetet e tjera janë evidentuar tashmë pikat që do të kryhet testimi shpejtë. Do të ketë një ndarje territoriale, në mënyrë që çdo pikë e përcaktuar si pikë testimi të mbulojë disa qendra shëndetësore dhe ku mjeku i familjes të mundet të drejtojë qytetarët në oraret e caktuara sipas sistemit elektronik”, tha Manastirliu.
Duke folur për vaksinën antiCOVID, Ministrja Manastirliu nënvizoi se po bëhen të gjitha përpjekjet për sigurimin në të vaksinës në kohë, për të gjitha grupet e riskut.

“Jemi duke punuar për ta pasur në një kohë sa më të shpejtë vaksinën e sigurt, për ta aksesuar dhe për të qenë punonjësist e sistemit shëndetësor të parët ata që do të kenë mundësinë të vaksinohen me vaksinën antiCovid, në momentin që ajo të jetë e disponueshme dhe të plotësojë të gjithë parametrat e sigurisë. Ne po përpiqemi fort që ta kemi në një kohë sa më të shpejtë të mundur për të filluar me vaksinimin e grupeve më të riskuar, dhe sigurisht më pas për ta garantuar për të gjithë popullatën”, tha Manastirliu.

Top Channel