U prezantua si motra e Klodian Rashës, e reja për “Shqipëria Live”: Më kanë keqkuptuar, e vërteta është se …

10/12/2020 13:19

Një vajzë mes qindra protestuesish që u mblodhën ditën e djeshme në qytetin e Tiranës për të kërkuar drejtësi për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, ka pretenduar që është motra e këtij të fundit.

Ndërkohë, me anë të një video-mesazhi për emisionin “Shqipëria Live”, Bora Haruni nga fshati Shalës i Sarandës, është shprehur se e gjithë kjo ka qenë një keqkuptim. Ajo thotë se është rritur në një lagje me Klodian Rashën dhe e ka ndjerë veten si të ishte motra e tij.

Haruni thotë se punon në kasë, në një supermarket, dhe bën një jetesë midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Vajza i kërkon falje familjes Rasha dhe thotë se nuk ka komunikuar me ta. Më tej, ajo tregon se i ra të fikët në protestë pasi e goditën në bark dhe në shpinë.

“E kanë keqkuptuar, isha si të isha motra e tij, por jemi rrit në një lagje dhe prandaj kam folur si motra e tij. Nuk e dija se kanë marrë njoftimet njerëzit, unë  punoj në kase në supermarket dhe jetoj pak në Shqipëri se jetoj në Gjermani. Më kanë hapur probleme dhe besoj që t’i heq. Nuk kam folur me familjarët e Klodian Rashës dhe më kanë marrë familja ime. I kërkoj shumë falje familjes dhe Zoti e çoftë në Xhehnet. Me ra të fikët në protestë ku më goditën në bark dhe në shpinë”, tha ajo për “Shqipëria Live”.

Por çfarë deklaroi para mediave vajza në fjalë ditën e djeshme?

“Dua një të drejtë nga shteti, dua të drejtën e vëllait  tim. Për çfarë u vra? Për çfarë policia nuk qëlloi në ajër, por i qëlloi në kokë. Kërkoj drejtësi për vëllanë tim, ne duam të drejtën për çfarë arsye është vrarë. Ka qenë djalë shumë i rregullt, nuk ka pasur armë. Kërkoj të dorëhiqet Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, kërkoj mbështetje sa më shpejt. Nuk e prisja kur kam marrë vesh se vëllai im është i vrarë, më thoshin se është arrestuar, kur ma kanë sjellë jam tronditur”, u shpreh ajo.

Së bashku me protestuesit ditën e djeshme ndodhej edhe gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo, e cila përcolli live ngjarjen hap pas hapi. E ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, gazetarja Kristi Gongo tregon momentin kur interviston Bora Harunin dhe kontaktin me familjen Rasha për të zbuluar të vërtetën.

“Pati një mori protestuesish dhe mes tyre ishte dhe Bora që u prezantua si motra e Klodianit. Ishte e shoqëruar nga një zotëri dhe një vajzë ku të cilës i kishte rënë të fikët para se të jepte intervistën dhe kam pyetur pse u përkeqësua dhe vajza më tha se jemi të traumatizuar ndërsa zotëria tha se si mund të mos jetë e traumatizuar kur i kanë vrarë vllain dhe ngela e shokuar, ku unë vete e pyeta vajzën me habi nëse është motra e tij sepse nuk e besova në fillim ku mendova se me një dhimbje familjarët janë bashkuar protestës një shenjë revolte që edhe unë mund ta kisha bërë por ndjesia që kishte e ftohtë dhe ngjyra e veshjes prisja që mund të ishte e veshur me të zeza prandaj e pyeta nëse ishte motra dhe më thane se më kanë vrarë vëllain  në derë të shtëpisë ku doli për të blerë cigare. Gjatë transmetimeve direkte në momente interviste me vajzën kemi marrë mesazhe që nuk ishte e motra ku kontaktuam familjarët dhe e konfirmuan se nuk ishte motra dhe ne e përgenjështruam në edicionin e lajmeve ku dhe kërkova falje familjes dhe publikut”, shprehet Gongo.

Për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha janë zhvilluar protesta dhe në disa qytete të vendit tonë përveç Tiranës.

Protesta në Tiranë u shoqërua me dhunë ndaj disa institucioneve shtetërore.  Protestuesit nuk kursyen as pemën e Krishtlindjeve të kryeministria të cilën e dogjën dhe më pas e rrëzuan. Në fund iu drejtuan qendrës ku dëmtuan dhe i vunë flakën edhe pemës së madhe në mes të sheshit.

Shënjestra e fundit ishte drejtoria vendore e policisë së Tiranës, ku dhe aty pati disa përplasje ku policia përdori gaz lotsjellës ndërsa protestuesit dogjën disa kosha me plehra. Përpos dëmeve materiale të lënduar kanë mbetur 16 efektivë,njëri prej tyre rrezikon të humbasë syrin.

FOTO GALERI
1/16

Top Channel