Paraditen e sotme u mblodh Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, ku u diskutua mbi raportin e Dick Marty-t, për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues në gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri, sa i takon çështjes së raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku pretendohet se kanë luajtur rol përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në mbledhjen e tij të parë u bë konstituimi i Komisionit, ngritja e sekretariatit teknik dhe përcaktimi i relatorëve. Deputetët vendosën që për këtë komision të jenë dy relatorë, një nga PS-ja dhe një nga grupi i deputetëve të pavarur, saktësisht Klodilda Bushka dhe Elena Xhina.

Anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty ka ngritur akuza se në territorin e Shqipërisë ka pasur veprimtari kriminale të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët  gjenden në paraburgim të Hagës që prej datës 5 nëntor.

Komisioni i Posaçëm u miratua më datë 3 dhjetor në Kuvend me 85 vota pro, 12 kundra dhe 4 abstenimi, për të kaluar në skaner të gjitha veprimet e kryera në territorin shqiptar për krimet e supozuara të UÇK-s.

 

Top Channel