Një ditë pas protestës përpara institucioneve shtetërore për Klodian Rashen, 25-vjecarin që u vra nga efektivi i forcave shqiponja policia njoftoi zyrtarisht se u arrestuan në flagrancë 3 persona, 8 u shpallën në kërkim ndërsa 4 janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia po vijon ende identifikimin e pjesëmarrësve në tubim, ndërsa akuzohen për 6 vepra penale pasi kanë protestuar në mënyrë të jashtëligjshme, kanë kundërshtuar forcat e policisë, kanë prishur qetësinë publike, shkatërrim i pronës me zjarr apo pengim të qarkullimit të automjeteve.

Çfarë gjen në sheshin përpara kryeministrisë janë punonjësit e mirëmbajtjes që po pastrojnë gjurmët nga protesta e të mërkurës. Pema e dëmtuar e festave është hequr, ndërsa dyert e jashtme të kryeministrisë janë bllokuar.

Gurët e shkulura nga trotuari me të cilat goditën punonjësit e policisë tani më janë në mjetin e drejtorisë së përgjithshme të rrugëve dhe ndriçimit.

Gjurmët e protestës janë edhe në sheshin Skënderbej me pemën e shkatërruar të festave të fundviti, por jeta përreth saj vijon normalisht edhe pa Klodianin. Ndërsa një tjetër protestë është paralajmëruar në rrjete sociale me të njëjtën kauzë’ kërkojmë drejtësi për Klodianin”

Top Channel