SPAK forcon pozitat, bashkëpunim me prokurorinë që çoi para drejtësisë ish-kryeministrin, ministra e diplomatë kroatë

09/12/2020 12:08
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK  ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Zyrën për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë, USKOK në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Bashkëpunimi i vendit tonë me Kroacinë vjen pas një historie suksesi të USKOK.

Pasi korrupsioni në Kroaci mbërriti në nivelin më të lartë të pesë viteve të fundit, USKOK ka mundur që të vendosë drejtësi  duke çuar në bankën e të akuzuarve ish-kryeministrin Ivo Sanader, ministra dhe diplomatë vendas.

Në 12 shkurt, USKOK deklaroi po hetonte disa nga ish-ministrat e përfshirë në skandalin e fshehjes së pasurisë. Tamar Laptosh, prokurorja që hetoi dhe dërgoi në bankën e të akuzuarve ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader dhe ish-zv/kryeministrin do të qëndrojë dy vjet në Shqipëri për të dhënë eksperiencën e saj se si hetohet korrupsioni dhe si hetohen zyrtarët më të lartë.

Synimi i këtij bashkëpunimi është që të ketë një hetim sa më efektiv të zyrtarëve të lartë të shtetit nëse kanë kryer shkelje ligjore dhe të dalin para drejtësisë.

Memorandumi parashikon bashkëpunimin e të dy institucioneve edhe për çështje të përgjithshme ligjore veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në përputhje me instrumentet ligjore ndërkombëtare të zbatueshme në të dy vendet, si dhe vizita reciproke të ekspertëve që të përmirësojë njohuritë dhe shkëmbimin e përvojës më të mirë profesionale mbi çështje që lidhen me aktivitetin e tyre.

Ky bashkëpunim nënkupton kalimin në sitë të krerëve të shtetit shqiptar.

Kujtojmë se SPAK  ditën e djeshme ka zbardhur vrasjet e bujshme të ndodhura në vitin 2005 të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut.

Nënshkrim i Memorandumit të Mirëkuptimit me Zyrën për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë

Në kuadrin e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Zyrën për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK). Kjo marrëveshje konsiston në shkëmbimin e informacioneve dhe dokumenteve në lidhje me veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbi sistemin ligjor dhe legjislacionin në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të vendeve pjesëmarrëse, si dhe veprimtarive legjislative në lidhje me zbatimin e këtij Memorandumi, masave të veçanta të zbatimit të ligjit në fushat e juridiksionit të tyre si dhe përvojën e tyre ndërkombëtare. Ky Memorandum parashikon gjithashtu bashkëpunimin e të dy institucioneve edhe për çështje të përgjithshme ligjore mbi ndihmën e ndërsjellë juridike, veçanërisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në përputhje me instrumentet ligjore ndërkombëtare të zbatueshme në të dy vendet, si dhe vizita reciproke të ekspertëve me qëllim të përmirësimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojës më të mirë profesionale mbi çështje që lidhen me aktivitetin e tyre.

 

Top Channel