Estonia njoftoi se ka instaluar ndarje telash me gjemba në një seksion prej 8-kilometrash të kufirit të saj me Rusinë, në pjesën e parë të projektit tre-vjeçar të infrastrukturës kufitare.
Vendi Balltik ka nisur prej korrikut projektin e ndërtimit të gardhit 23.5 kilometra prej pikës së takimit të kufirit Estonian-Letonez-Rus në Luhamaa, deri në veri.
Përveç telave me gjemba, vendi anëtar i NATO-s dhe BE ka në plan të ndërtojë gjithashtu rrugë patrullimi dhe të vendosë pajisje mbikqyrjeje në pjesë të ndryshme të kufirit.
“Ka shumë elementë që duhet të shtohen, por gardhi tashmë është ngritur në këmbë,” tha kreu i policisë kufitare estoneze Egert Belitsev, për transmetuesin vendas ERR.
“Sigurisht ndërtuesit hasën në surpriza të vogla por asgjë të pakalueshme. Ndërtimi po ecën me ritme të kënaqshme”, shtoi ai.
Ministri i brendshëm i Estonisë, Alar Laneman vlerësoi zhvillimet si “ndërtim me rëndësi praktike, simbolike dhe politike”, në një kohë kur marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Rusisë janë përkeqësuar që prej aneksimi të Krimesë nga Moska në vitin 2014.
“Ky është praktikisht kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe NATOs prandaj do të jetë një ndarje kufitare e pajisur me të gjitha mjetet e sigurisë teknike, si për Estoninë dhe për BE”, tha Laneman.
Estonia është i vetmi vend anëtar i NATO-s që nuk ka një traktat të ratifikuar kufitar me Rusinë, megjithë një marrëveshje kufitare me të në 2005 dhe një tjetër mes dy ministrive të jashtme në 2014. Parlamenti estonez ka refuzuar të ratifikojë marrëveshjen e ofruar nga Rusia prej një debati të vitit 1920 mes dy vendeve.
Top Channel