Lojra Fati

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Aplikacioni,  si rezultat i të cilit, gjatë kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, janë evidentuar dy raste të zhvillimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.  

Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u arrestuan në flagrancë shtetasit:

T. D., 25 vjeç dhe E. M., 19 vjeç, si dhe u proçedua në gjendje të lirë shtetasi K. D., pasi në Rrugën e Dibrës, në lokalin me pronar shtetasin T. D. dhe punonjës shtetasin E. M., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 aparat celular, 3 aparate dixhitale dhe një sasi valute, që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjithashtu u bë arrestimi i shtetasit S. D., 25 vjeç, pasi në rrugën “Njazi Meka”, në lokalin në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan 1 aparat celular dhe tre aparatura të cilat i përdorte për të ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme të organizimit të lotarive të palejuara.

Për veprime të mëtejshme materialet u janë dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës dhe në këtë kuadër Policia e Tiranës fton cilindo të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Top Channel