Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” u diskutua gjatë “gjuha e ashpër e debateve televizive, sharje dhe fyerje personale”. Kjo temë u bë shkak nga debati i ashpër që patën Grida Duma dhe Frrok Çupi në emisionin “Open”, ku pati edhe fyerje personale.
Pedagogu i njohur Agron Gjekmarkaj, ishte për të folur rreth temës “pse degjenerojnë në ofendime personale debatet?”.
“Është një dilemë e madhe pjesëmarrja apo jo në debatet politike. Në darkë diskutohet vetëm për politikë, e është mirë që ne të flasim për politikën derisa politika të flasë për ne”, tha Gjekmarkaj, i cili ka qenë pjesë e debatit të Dumës dhe Çupit.
Pedagogu u shpreh se debatet nisin kur mbarojnë argumentet. Sipas tij, kur nuk ka argumente për temën që po diskutohet, kalohet në personale.
“Në momentin që ti e pëson një goditje verbale, vetvetiu reagon dhe sigurisht që mua nuk më ndodh shpesh që prej 10-vitesh që jam i ftuar në studio televizive. Më është dashur shumë rrallë që të dal jashtë temës, edhe pse edhe unë mund të reagoja. Nuk jam krenar për debatet që përfundojnë në të tilla, edhe atëherë kur jam i përfshirë”, tha ai.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me reagimin që pati në mbrojtje të Grida Dumës, Gjekmarkaj tha se nuk e njeh atë personalisht, por do e bënte për çdo femër që do të ishte e ftuar në studio.
“Nëse do të kthehesha pas do të kisha të njëjtin reagim. Me zonjën Duma nuk kam pirë asnjë kafe, por do reagoja për çdo femër që mund të ishte aty. Solidariteti shprehet në mënyra ë ndryshme, nuk ka një formulë të caktuar. Ishte një moment spontan, nuk jam krenar, por që do e përsërisja sërish”, përfundoi ai.
Top Channel