Komiteti teknik i ekspertëve në një konferencë për mediat tha se Tirana, Gjirokastra dhe Lezha janë ndër më të prekurat nga covid-19.
Megjithatë Albana Fico tha se gjendja deri tani është relativisht e qëndrueshme.
“Vihet re qëndrueshmëri në spitalet Covid të numrit të pacientëve. 365 raste për 100 mijë banorë, më e ulëta në rajon”, tha ajo.
Ndërsa kreu i komiteti teknik Mira Rakacolli u shpreh se” në bazë të vlerave që do kemi do gjykojmë nëse do ketë masa të reja apo do mbetemi në këto masa”.
“Gjendja mbetet relativisht e qëndrueshme dhe do na duhet një javë tjetër për të parë a do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri dhe në bazë të vlerave që do të kemi këtë javë do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave apo do të ketë nevojë për masa të tjera. Është një javë e rëndësishme në vlerësimin epidemiologjik të situatës”, tha Rakacolli.
Por çfarë masash do të merren nëse situata rëndohet ?
Rakacolli nuk dha një përgjigje konkrete, dhe e lidhi këtë me rritjen e numrave: “Masat që do merren, nuk mund t’i themi tani, po ajo që kemi si pozitive është qëndrueshmëria me masat që kemi tashmë, pastaj do shohim në varësi të numrave. Përderisa kemi një tendencë pozitive le t’i bindemi masave aktuale, nuk është një betejë e një segmenti, por luftë e të gjithëve”, tha ajo.
Top Channel