Klodian Rasha, 25 vjecc u vra në oren 1.45 të mëngjesit (8 Dhjetor) nga një polic i patrullave Shqiponja.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha duke raportuar nga vendi i ngjarjes tha se policia me dy njoftime bëri të ditur se Klodian Rasha nuk iu bin thirrjes së policisë për të ndaluar nga zona prej unazës te Zogu i ZI deri në vendin ku ai u qëllua.
Në njoftimin e parë të policisë thuhet se Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar. Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri. I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.
Në njoftimin e dytë të policisë thuhet se: Gjatë ditës prokuroria nisi mënjeherë hetimin por edhe Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia nën drejtimin e Prokurorit gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhërit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar.U sekuestrua në cilësinë e provës materiale armë e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë.
Por ndërkohë më pas gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka mësuar se polici autor i ngjarjes është arrestuar sepse dyshohet se ka kryer vrasje në kushtet e kapërcimit të vetëmbrojtjes së nevojshme. Prokuroria e Tiranës që mori në dorë hetimin e ngjarjes përjashtoi më herët nga hetimi drejtorinë e Policisë Tiranë, për konflikt interesi, duke qenë se polici ishte pjesë e njësisë Shqiponja, që është nën varësinë e Drejtorisë Tiranë. Të afërmit e viktimës mohojnë që djali i tyre të ketë patur armë.
Xhaxhai i Klodian Rashës i tha gazetares Anila Hoxha se nipi i tij nuk ka pasur armë me vete, ndërsa thotë se ngjarja fillimisht iu njoftua në mënyra të ndryshme:“Në fillim na thanë djali është arrestuar nga policia. Dhe ky ka shkuar sikur është arrestuar. Pastaj kanë thënë se djali ka bërë aksident me policinë. Pastaj kanë thënë se ka vdekur. Djali ka dalë për të pirë kafe. Ka pasur dy kokrra hurma në dorë i ka lënë në ballkon. Kërkojmë që kjo të zbardhet deri në fund.Vëllai më ka thënë se djali nuk ka pasur asgjë me vete se nuk ka armë në shtëpi. Apelin policisë prej nesh që këtë punë ta zbardhë deri në fund si të jetë në punë”.Burime për Top Channel bëjnë me dije se viktima ka qenë i dënuar më parë për plagosje të lehtë me dashje dhe për “Heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016”.Punonjësi i Policisë, efektiv i Shqiponjave, i ka bërë thirrje të ndalonte, por Rasha nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar. Policia njofton se i gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur 25-vjeçari, i cili ka humbur jetën në spital. Ndërkohë policia njoftoi se gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhrit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar. Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel