Dita Kombëtare e Rinisë, Ministrja Kushi: Pjesëmarrja aktive e të rinjve, detyrim për një të ardhme më të shëndetshme

08/12/2020 19:15

Ditën e sotme, në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Shërbimi Kombëtar për Rininë kanë organizuar një bashkëbisedim me të rinj të angazhuar, aktivistë dhe studentë të këshillave studentorë me temë “Të rinjtë dje, sot dhe në të ardhmen”.

Të ftuar në këtë takim të alternuar (fizik dhe “online”) ishin gjithashtu dy protagonistë ish-studentë të Dhjetorit, Z. Blendi Gonxhja dhe Z. Arjan Manahasa, të cilët përcollën përjetimet dhe reflektimet e zhvillimeve të para 30 viteve, kur të rinjtë u bënë iniciatorë të kthesës së madhe historike të Shqipërisë.

Ndërkohë, gjatë takimit u diskutua edhe mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse në kuadër të Ligjit për Rininë, bashkëpunimin rinor, nxitjen e të rinjve në tregun e punës etj., ku Ministrja Evis Kushi përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm për të rinjtë:

“Të rinjtë tanë janë e ardhmja e vendit! Prandaj, pjesëmarrja e tyre aktive në jetën ekonomike, sociale, politike e vendimmarrëse nuk është vetëm një e drejtë e pamohueshme, por mbi të gjitha mbetet një detyrim që duhet ta ndjekin për një të ardhme më të shëndetshme si qytetarë të denjë në Europën e vlerave” – shkruan ajo në publikimin e saj.

Top Channel