Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë pesë shtetasve.
Bëhet fjalë për B. Q., banues në Fier, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i narkotikëve”; A. R., banues në Fier, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Vjedhja me armë”; R. S., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”; M. P., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe E.(G.) A., banues në Ballsh, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Top Channel