Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk pritet të jetë temë e samitit të BE-së që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, ndërsa edhe në takimin e së martës të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme do të jetë vetëm si temë eventuale jashtë rendit të ditës, apo si “çështjet e tjera”.
Një diplomat i lartë i BE-së tha se arsyet për këtë janë axhenda e ngjeshur dhe dështimi që të ketë përparim në miratimin e kornizave negociuese, për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. I njëjti burim pohoi se “Gjermania, si kryesuese e radhës e BE-së, është e zhgënjyer, për shkak të këtyre dështimeve”, dhe fajin për këtë ia faturon Bullgarisë, e cila vazhdon të bllokojë miratimin e vendimit për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.
“Si pasojë e bllokadës së vendimit për Maqedoninë e Veriut, që Bullgaria e ka bërë për shkak të çështjeve bilaterale historike, të cilat nuk kanë vend në procesin e zgjerimit, nuk kemi mundur të vendosim as për Shqipërinë, sepse disa shtete kanë insistuar se, nëse nuk ka vendim për Maqedoninë e Veriut, nuk mund të vendosim as për Shqipërinë”, tha diplomati i lartë.
Bullgaria ka këmbëngulur që detyrimet e Maqedonisë së Veriut për të respektuar disa çështje historike, të cilat Sofja i sheh si fakte, të jenë pjesë e kornizës negociuese të BE-së. Një tjetër diplomat evropian tha se nuk sheh ndonjë mundësi për ndonjë kthesë pozitive në momentin e fundit, pra para përfundimit të presidencës gjermane më 31 dhjetor, kështu që Gjermania do ta përmbyllë presidencën e saj pa asnjë rezultat në zgjerim.
Top Channel