Gjykata rrëzon sërish KED/ Vendimi tregon se KED po shkel ligjin me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

07/12/2020 19:36

Këtu në gjykatën e Apelit Administrativ, Profesoresha Zhaklina Peto fitoi për herë të dytë përballë Këshillit të Emerimeve në Drejtësi që për dy herë radhazi e skualifikoi nga gara për në gjykatën Kushtetuese.

Por kjo vendimmarrje e formës së prerë do të thotë se domosdoshmërisht KED duhet të rimblidhet sërish për kandidaten Peto që nga ana tjetër do të thotë tension dhe presion kohe.

Por e kontaktuar nga Top Channel pas këtij vendimi kandidatja Peto pohoi se do ta rishikojë qëndrimin e saj ndaj KED duke lënë të nënkuptohet se me shumë mundësi do të mjaftohet me fitoren që i dha gjykata e Apelit dhe se nuk përjashtohet mundësia që të heqë dorë nga ambicia për tu ndeshur me këshillin. Sidoqoftë, çfarëdo hapi që do të hedhë Zhaklina Peto, KED është e detyruar të presë zbardhjen e verdiktit të gjykatës për ta konsideruar njoftimin zyrtar.

Megjithatë Profesoresha Peto më herët ka kallëzuar në SPAK dy anëtarë të KED përderisa sipas saj ishin kryer shkelje të procedurave se si ishte kontrolluar nga këshilli. Si Peto, ju drejtuan gjykatës edhe kandidatë të tjerë të skualifikuar ndonëse gjyqësisht ata e humbën betejën.

Por këto padi që ju shtuan kritikave se si u skualifikua në garë noterja Sonila Bejtja, mbajtën pezull procesin për gjykatën kushtetuese, pasi as kandidatura e Bejtjes dhe as e Altin Binajt nuk mund të dorëzohen në presidencë pa marrë fund odiseja gjyqësore.

Top Channel