Kreu i shtetit turk mori pjesë me një videomesazh në Uorkshopin për Mesdheun Lindor, organizuar në Antalie nga Këshilli Ndërkombëtar Universitar dhe Universiteti i Mesdheut (AKDU).
“Bashkimi Evropian duhet të shpëtojë një orë e më parë nga verbëria strategjike në të cilën është zhytur, si dhe të mos lejojë që ajo të përdoret si dash (tra me kokë metali për të shpërthyer portat a muret e kështjellave) në Mesdheun Lindor nga pala grekoqipriote dhe Greqia”, tha Presidenti Erdogan.
Ai tërhoqi vëmendjen se turqve qipriotë dhe Turqisë nuk duhet t’i bëhen më shumë padrejtësi në emër të solidarësisë së Unionit.
“Propozimi ynë për organizimin e një konference me pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të rajonit të lagur nga Mesdheu Lindor, përfshi këtu edhe turqit qipriotë, është ende mbi tavolinë. Ne presim nga bashkëbiseduesit tanë që të mos e lënë në ajër këtë dorë që u ka zgjatur Turqia. Unë u bëj thirrje të gjithë fqinjëve tanë në Mesdhe, me në krye Greqinë, që të mos e shohin më këtë çështje (Mesdheu Lindor) si një lojë me shumën zero. Jam i besimit se kur veprohet me maturi, sinqeritet dhe arsye të shëndoshë, ne mund të gjejmë një formulë që mbron të drejtat e gjithsecilit mbi parimin fito-fito”, u shpreh lideri turk.
Sipas tij, Turqia nuk mund të qëndrojë si një spektator në tribunë përballë zhvillimeve në këtë pellg, pasi ajo është shteti me vijën bregdetare më të gjatë në Mesdhe.
“Ne e kemi thënë qartë se vendi ynë nuk do t’i pranojë kurrë planet dhe hartat që synojnë të izolojnë atë në bregdetin e Antalies. Nuk synojmë të grabisim të drejtat apo interesat e askujt, por jemi duke mbajtur një qëndrim të palëkundur kundër mendësisë pirate që përpiqet të na zhvatë të drejtat tona. Vendi ynë nuk favorizon kurrsesi tensionin në çështjen e Mesdheut Lindor; por është për vendosjen e paqes, bashkëpunimit dhe drejtësisë”, saktësoi Presidenti Erdogan.
Në vazhdën e tensioneve të fundit në rajon, Greqia dhe administrata grekoqipriote kanë rritur presionin e tyre ndaj shteteve të tjera anëtare të Unionit për të vendosur sanksione kundër Turqisë gjatë samitit të ardhshëm të liderëve të BE-së.
Turqia, e cila ka vijën bregdetare kontinentale më të gjatë në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe administratës grekoqipriote duke theksuar se këto pretendime të tepërta e maksimaliste shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.
Ankaraja ka dërguar disa anije shpuese kohët e fundit për të eksploruar burimet e energjisë në Mesdheun Lindor duke këmbëngulur në mbrojtjen e të drejtave të saj dhe të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV) në rajon.
Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.
Top Channel