Durrës, sherr me thika në një lokal/ Arrestohen 4 persona, në mesin e tyre edhe pronari i gjobitur

07/12/2020 11:50

Një sherr i cili përfundoi me dhunë fizike në një lokal të Ishmit në Durrës solli arrestimin e katër personave.

Në pranga ranë tre shtetas që goditën me mjete të forta dhe prerëse tre të tjerë, si dhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, i cili u gjobit edhe me masë administrative, pasi nuk respektoi orarin për mbylljen e aktivitetit.

A. K., 36 vjeç, Xh. K., 21 vjeç, banues në Ishëm dhe R.(G). A., 34 vjeç, banues në Sukth, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Sh. I., dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasit D.(P). K., 55 vjeç dhe S. A., 62 vjeç, ndërsa shtetasi R.(G). A. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. K., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Sh. I., 31 vjeç, banues në Ishëm (pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja), për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka njoftuar Policinë për konfliktin e ndodhur në ambientet e lokalit të tij. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi nuk ka respektuar orarin e vendosur për mbylljen e aktivitetit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel