Ekzekutimi i efektivit të FNSH/ Kamera fiksoi vrasjen, një telefonatë e ktheu nga rruga, arma ishte gati për ta qëlluar

06/12/2020 11:59
Xhuljano Prela

Vrasja e Xhuljano Prelës, efektivit të FNSH në fshatin Gajush të Lezhës vijon akoma që të jetë e mbushur me mister.

Burime bëjnë me dije se Xhuljano Prela pasi kishte dërguar një të afërm të tij në fshatin Pistull të Shkodrës ishte nisur në drejtim të Tiranës por pas një telefonate ai është kthyer nga rruga.

Në kamerat e sigurisë pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja shihet se në anë të rrugës në drejtim të Lezhës ishte ndalur një automjet dhe Xhuljano është ndalur pranë këtij automjeti për disa sekonda ka ulur xhamin në anë të pasagjerit dhe më pas e kanë qëlluar me një plumb në kraharor që i mori edhe jetën.

Xhuljano është munduar të largohet por ka përfunduar në një parcelë. Policia e Lezhës po kontrollon të gjitha kamerat e sigurisë së bizneseve në rrugët kryesore. Deri më tani nuk ka një pistë të qartë se cilat kanë qenë shkaqet apo autorët e vrasjes së Xhuljanos.

Prela, me origjinë nga Puka ishte student në Akademinë e Policisë Tiranë në vitin e 3-të. I ndjeri ka punuar dy vite në Komisariatin e Policisë Lezhë, ndërsa prej një viti ishte transferuar në FNSH-në Shkodër.

Babi i viktimës, Martin Prela rrëfeu dje detaje për Top Channel.

Gazetarja: Kur e ke takuar Xhuljon (për herë të fundit)?

Babai: Mbrëmë.

Gazetarja: Ishte në shtëpi?

Babai: Darkën e kemi ngrënë bashkë. Në mesnatë ka dalë nga shtëpia. Më tha kam disa punë deri në Shkodër. Nuk di çfarë të them se si ka ndodhur. Nuk dimë gjë a e ka nga çështje pune, apo personale, apo…

Gazetarja: Ishte i shqetësuar?

Babai: Jo. Nuk ka qenë fare i shqetësuar, normal si gjithmonë. Mua dje më ka thënë që do të shkoj në Rinas, të marr një mikun tonë të përbashkët që vinte nga jashtë, për ta çuar në Shkodër. Djalin nuk e telefonuam. Nga ora 12 e natës ka dalë, pastaj nga ora 5- 5 e pak mora vesh që ka ndodhur diçka.

Gazetarja: Çfarë dyshon ti si prind?

Babai: Të them të drejtën nuk e di. Edhe nga Lezha, që ka punuar dikur në polici ai ka vite që është larguar nga aty, ka shkuar në Shkodër më shërbim, nga Shkodra ka ardhur, në shkollën e policisë në Tiranë. Ka filluar vitin e tretë, të fundit.

Gazetarja: A e mësuat se kë priti djali juaj?

Babai: Po e dimë ne, mikun e njohim.

Gazetarja: Çfarë tregon ai?

Babai: Nuk e kemi takuar, nuk na ka pritur punë. Ai është në Shkodër. Emrin nuk ia mbaj mend, por e kemi mik shtëpie. Kemi lidhje miqësore me ata. Nuk ka folur ende me të. Gjithçka mund të ndodhë, por tek ai nuk dyshoj. Mund të jetë një pritë e rastit, nuk di çfarë të them. Ai djalë nuk ma merr mendja të ketë patur problem personale me askënd apo familjare, as nëpërmjet punës, nuk e di nga çfarë, nuk e di çfarë të them.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA