Gjukanoviçi ndjek fjalimin e kryeministrit të ri, Krivokapiç, 2 dhjetor 2020

Më i vogli ndër shtetet pasuese të Jugosllavisë, Mali i Zi, për herë të parë pas 30 vitesh priet një qeveri, që nuk kontrollohet nga presidenti më afatgjatë në post në Europë, Milo Gjukanoviç.

Të premten (04.12) Mali i Zi përjeton ndërrimin e parë demokratik të qeverisë. Parlamenti në kryeqytetin, Podgoricë gjatë ditës voton qeverinë e re, tek e cila nuk është pjesë Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit, Milo Gjukanoviç. Gjukanoviç dhe partia Demokratike e Socialistëve e kanë dominuar Malin e Zi që nga fundi i sundimit të komunistëve dhe shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991.

Zdravko Krivokapiç

Më 30 gusht, në zgjedhjet parlamentare, opozita me një shumicë të vogël, me vetëm një vend në parlament, solli dështimin e parë të karrierës politike të Gjukanoviçit, i cili e shkëputi me referendum vendin prej 620.000 banorësh nga shteti i përbashkët, “Serbi dhe Mali i Zi”. Nën drejtimin e tij, Mali i Zi në vitin 2012 filloi negociatat e anëtarësimit me BE dhe u anëtarësua në NATO në vitin 2017.

Gjukanoviçin e mundi një aleancë opozitare, që fillonte nga parti si Fronti Demokratik pro serb dhe vazhdonte deri tek partia URA, që luftoi për pavarësimin e Malit të Zi. Humbja e zgjedhjeve të Gjukanoviçit u parapri nga disa skandale. Kështu presidenti dhe partia e tij u akuzuan rregullisht për lidhje me krimin e organizuar, kësaj i shtohet korrupsioni i gjerë në vend dhe varfëria e madhe.

Rolin qendror duhet ta ketë ruajtur kisha ortodokse serbe, pjesë e së cilës është shumica e popullsisë së Malit të Zi. Por përveç asaj ekziston edhe kisha tjetër, më e vogël, kisha ortodokse malazeze, e cila nuk njihet nga kishat e tjera ortodokse.

Konflikti me kishën

Konflikti i Gjukanoviçit me kishën ortodokse serbe filloi për shkak të “ligjit për lirinë e fesë”, që i jepte shtetit malazez pronësi të kishës ortodokse serbe. Kisha e vlerësoi këtë si vjedhje dhe mobilizoi besimtarët e saj fillimisht për protesta masive, dhe më vonë të votonin kundër Gjukanoviçit. Ai nga ana e tij fajësoi Serbinë dhe presidentin Vuçiç për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Malit të Zi. “Protestat e kishës ortodokse serbei kushtuan partisë DPS një pjesë të elektoratit duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm për humbjen e Gjukanoviçit, thotë Vladan Zugiç, që analizon për më shumë se 20 vjet politikën malazeze për gazetën e njohur të pavarur, “Vijesti”.

Rrezik për pavarësinë?

Presidenti Gjukanoviç vetë nuk bën tentativa të pengojë ndërrimin e pushtetit, por përkrahësit e tij thonë, se pavarësia e Malit të Zi është në rrezik. Përveç kësaj ata flasin për rrezikun e zhvendosjes së vendit drejt nacionalizmit klerikal dhe se qeveria e re do të “serbizojë” malazezët. Si argument ata përmendin, se disa nga ministrat e rinj e shohin veten si serbë dhe janë anëtarë të kishës ortodokse serbe. “Gjukanoviçi dhe DPS deri tani paraqiten si opozitë konstruktive”, thotë analisti Zugiç. “Ata bëjnë përgjegjëse Serbinë, presidentin e saj dhe kishën ortodokse serbe për humbjen e zgjedhjeve. Por kjo nuk është pamja e plotë, sepse akuzat për korrupsion kundër DPS nuk përmenden ashtu si tema e kriminalitetit të organizuar.”

Përkrahës të opozitës festojnë pas zgjedhjeve më 30 gusht 2020


Qeveria e re e Malit të Zi do të jetë e përbërë nga ekspertët dhe do të drejtohet nga Zdravko Krivokapiç, një profesor universiteti, që në zgjedhje drejtoi Frontin Demokratik proserb dhe pas zgjedhjeve u propozua nga kisha ortodokse serbe si kryeministër. Kreu i URA-s, Dritan Abazoviç do të jetë politikani i vetëm ndër ministrat, të 12 ministrat e tjerë do të jenë ekspertë, që janë propozuar nga partitë qeverisëse. “Këta njerëz kanë të shkuar të pastër, dhe qeveria e tyre do të përpiqet të punojë me profesionalitet të lartë”, thotë për Deutsche Wellen, Boris Mariç, ish-ministër malazez, sot analist i politikës dhe drejtues i organizatës joqeveritare, “Qendra për liritë qytetare”.

Luftë për çdo ligj

Pas emërimit të tij, Krivokapiç u sulmua ashpër nga Fronti Demokratik, por në fund politikanë të kësaj partie hoqën dorë, që qeveria të mos mbetej në dorë të DPS. “Qeveria e re duhet të luftojë për çdo ligj, para se të miratohet në parlament. Nuk pres, që deputetët ta rrëzojnë qeverinë e re, më shumë gjasa ka që herët ose vonë të kërkohen ndërrime qeveritare.”, thotë Boris Mariç.

Çfarë do të ndodhë me Gjukanoviçin?

Mandati i Milo Gjukanoviçit merr fund në vitin 2023. Vendi ndodhet para një bashkëjetese, por që tani krerë të partive qeverisëse kërkojnë arestimin e kreut të shtetiti. Ata thonë, se Gjukanoviç ka përdorur shtetin në sundimin e tij 30 vjeçar për të shumuar pasurinë e tij marramendëse. Presidenti e mohon këtë. “Unë pres që të ngrihen akuza kundër anëtarëve të partisë së Gjukanoviçit. Nëse vjen puna tek dënimet, ky do të jetë një problem i madh për Partinë Demokratike të Socialistëve”, parashikon Mariç.

Vetë kryeministri Krivokapiç ka bërë të ditur, se do të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përveç kësaj ai kërkon të reformojë administratën, të hetojë origjinën e pasurisë së politikanëve dhe punonjësve të shtetit. Për analistin Zugiç “lufta e vendosur kundër korrupsionit është çelësi që Mali i Zi të vazhdojë rrugën drejt BE.” Kurse analisti Boris Mariç thotë se qeveria e re do t’i japë një shans edhe kishës ortodokse serbe. “SPC do të ketë me siguri influencë në ndryshimin e ligjit të lirisë së fesë. Por pas kësaj do të ishte mirë, nëse ajo tërhiqet sërish nga jeta politike”, thotë Mariç, që një ndër sfidat kryesore të qeverisë së re tani shikon luftën kundër pandemisë së Coronës.
Marre nga DW ne gjuhen shqipe

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA