“Humbëm Markon”/ Ndarja nga jeta e ish-deputetit të PS-së, Ruçi dhe Basha mesazh ngushëllimi

04/12/2020 10:04

Mbi lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Marko Bello ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi si dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Sot iku Marko Bello. Familja humbi njeriun më të dashur, bashkëshortin dhe prindin, mungesa e të cilit do t’u shkaktojë një dhimbje të thellë. Ne humbëm shokun, mikun dhe kolegun tone të rrallë e të respektuar. Shqipëria humbi një personalitet që i ka shërbyer me devocion si deputet për tre legjislatura, si ambasador, si ministër e si profesor. Por mbi të gjitha, të gjithë humbëm një qytetar të denjë e patriot të madh. I zgjedhur tri herë si deputet, Marko ishte një zë i fuqishëm qytetar dhe i qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Ka drejtuar me kompetencë e përkushtim disa komisione parlamentare dhe i ka dhënë nder, dinjitet e hijeshi figurës së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Ndaj dhimbjen e thellë për humbjen e Markos dhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta”, shkroi Ruçi ndër të tjera.

Ndërkohë Basha u shpreh:

“Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit Marko Bello. I shpreh ngushëllimet e mia familjes Bello për humbjen e babait dhe bashkëshortit të përkushtuar, dhe të gjithë miqve dhe kolegëve që humbën të afërmin dhe mikun e tyre të dashur.Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit. U prehtë në paqe!”

Top Channel